Ka nisur votimi i fazës së dytë në faqen zyrtare të internetit të Top Channel për të përzgjedhur personazhin e vitit.

10 emrave më të votuar nga publiku, u janë shtuar 10 propozimet e Departamentit të Informacionit. Pra, tashmë në total janë 20 personazhe publike, që kanë dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme gjatë 2010-ës.

“Faza e parë e votimit ka qenë e orientuar drejt politikës, ndërsa TopCHannel shton disa personazhe të tjerë të fushave të ndryshme që kanë dhënë kontribut”, shpjegon webmaster-i, Igli Gjelishti.

10 personat e propozuar nga Departamenti i Informacionit të Top Channel janë:
 
1. Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, e cila dha një kontribut madhor për përfitimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.

2- Maksim Malaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Për kontributin e dhënë nga forcat e Ushtrisë shqiptare në ndihmë të banorëve të goditur nga 5 përmbytjet në Shkodër.

3- Myslim Pasha, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli në pension që mbrojti fort kufijtë detarë të Shqipërisë duke dalë kundër Marrëveshjes për ndarjen e ujrave detare me Greqinë.

4- Shkëlqim Cani, ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që parashikoi përpara në kohë se edhe Shqipëria do të preket nga efektet e krizës globale ekonomike.

5- Ridvan Bode, Ministri i Financave që në kohë të turbullta për ekonominë arriti të ruajë balancën për financat shqiptare, për të evituar sa më shumë efektet e krizës mbi ekonominë.

6- Nik Xhelilaj, Aktori i ri shqiptar që po ngjit me shpejtësi shkallët e karrierës artistike, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë.

7- Josip Kuzhe, Trajneri i kombëtares shqiptare, për ndihmesën e dhënë në arritjen e rezultateve pozitive, të cilat kanë renditur Shqipërinë në vendin më të lartë në historinë e futbollit shqiptar.

8- Vioresin Sinani, sportisti që vazhdon me sukses karrierën e gjatë në futboll, duke thyer këtë vit edhe rekordin e golave në kampionatin shqiptar.

9- Mark Zuckerberg Krijuesi i rrjetit social FB, i cili ka patur një impakt rrënjësor në komunikimin mes njerëzve në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.

10- Julian Assange, Thelemuesi i Ëikileaks, personazhi i momentit në të gjithë botën që përmes publikimeve të dokumenteve sekrete hapi në sytë e të gjithë botës të fshehtat e diplomacisë amerikane.

Votimet e publikut mund të bëhen gjithmonë në faqen zyrtare të internetit të Top Channel, ku do të mund të zgjedhin një nga 20 emrat e personave. Personazhi i Vitit do të shpallet më 31 dhjetor.

Top Channel