Kina ndalon të gjitha fjalët e huaja

21/12/2010 15:00

Kina ndalon të gjitha gazetat, botuesit apo zotëruesit e faqeve të internetit që të përdorin fjalë të huaja, veçanërisht ato angleze, informoi gjatë drekës shtetërorja britanike “BBC”.

Sipas autoriteteve të vendit me popullsinë më të dendur në botë, përdorimi i fjalëve të huaj po kërcënon pastërtinë e gjuhës kineze, ndërsa ndikon negativisht në bagazhin e fjalëve të brezave të rinj.

Pretendohet se standartizimi i kinezçes duhet të shndërrohet në një normë dhe të shmanget me çdo mënyrë përdorimi i një forme “Chinglish”, siç quhet në zhargon një gjuhë e përzjerë midis anglishtes dhe kinezçes.

Televizionet dhe radiot do të jenë gjithashtu të detyruar që të zbatojnë këtë urdhër. Administrata e Përgjitshme e Publikimeve të Shtypit bëri të ditur se përdorimi i termave të huaj ishte më shqetësues në artikujt që flasin për ekonominë, sociologjinë dhe teknologjinë.

Nëse një fjalë nuk ekziston në fjalorin kinez, atëherë do të jetë e domosdoshme që botuesit të vendosin një shpjegim në kllapa, për të përkufizuar fjalën.

Top Channel