Berisha: Luftë aksidenteve dhe krimit në familje

14/12/2010 11:00

Kryeministri Sali Berisha, në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, ka vlerësuar arritjet e deritanishme të forcave të rendit, që sipas tij e kanë kthyer Shqipërinë në një nga vendet më të sigurta të Evropës.

“Shqipëria ka qenë një vend ku dominonin bandat kriminale, ndërsa tani është kthyer në një nga vendet më të sigurtë, prandaj dhe Evropa mundësoi heqjen e vizave”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë, i cili ka theksuar se kjo siguri është një meritë e madhe e uniformave blu, ka nënvizuar nga ana tjetër se lufta kundër krimit është e vështirë.

Për këtë arsye, ai u ka garantuar forcave të rendit mbështetjen e politikës ndaj operacioneve të tyre.

“Kjo është një betejë e egër, ndër më të vështirat. E vërteta është se krimi disponon burime të pallogaritshme në Shqipëri dhe Evropë. Unë ju garantoj juve se e keni mbështetjen e politikës”, ka pohuar Berisha.

Një tjetër pikë e prekur nga kryeministri ishte edhe lufta kundër krimit financiar, e cila sipas tij është thelbësore për të luftuar instalimin e terrorizmit në vend.

“Do keni mbështetjen më të madhe në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar. Ju keni bërë progres në këtë drejtim, por përpjekje shumë më të mëdha, kualifikime të vazhdueshme, bashkëpunim me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare duhet të ndërlidhni, në mënyrë që ky krim, që dëshmohet si mekanizmi kryesor i akteve terroriste, të marrë në mënyrë të pandërprerë goditjet tuaja”, ka nënvizuar Berisha.

Por nga ana tjetër kryeministri nuk ka kursyer kritikat në drejtim të forcave të rendit, për disa krime që sipas tij janë të papranueshëm.

“Kjo luftë duhet të forcohet më tej. Kur në komunikatat tuaja thuhet se, u kap një kamion me kanabis por shoferi iku, akuzoheni ju. Kjo është shumë e rëndë. Të gjeni ku i keni dobësitë”, ka theksuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka shtuar më tej se përparësi i duhet kushtuar shmangies së aksidenteve rrugore, si dhe ka kërkuar kontributin e forcave të rendit në uljen e krimit në familje, fenomen të cilin e ka cilësuar si më të shëmtuarin.

“Të minimizohen aksidentet rrugore. Duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha, ta marrim këtë cështje me seriozitetin më absolut. Kërkoj nga ju si objektivin kryesor parandalimin e aksidenteve”, ka deklaruar Berisha.

“Më i shëmtuar i të gjitha krimeve është ai që ndodh në familje. Ju ftoj ta përparësojmë në mënyrë absolute këtë krim. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion, ai që kryen një krim në familje është krimineli më i shëmtuar. Ai është monstër”, ka shtuar Berisha.

Top Channel