Bille Eilish nuk e lënë të qetë as me pushime, fotografohet në Los Angeles me veshje sportive dhe pa grim (Foto)
Sa herë përmendet Kavaja, mendja të shkon tek aktori me famë botërore Aleksandër Mosiu.
Familja e mjeshtrit të madh të skenës, asaj gjermane dhe austriake, e ka prejardhjen nga Kavaja. Pavarësisht fakteve dhe dëshirës për të vizituar zanafillën e familjes, në qytetin e poçerisë, i lidhur shumë pak me teatrin, shtëpia e aktorit të madh pothuajse nuk ekziston më, pasardhësit e tij e kanë braktisur duke shkuar në Kosovë, ndërkohë kavajasit e ndjejnë veten ngushtë për rrënimin e saj.
Dhe në këtë transformim më shumë regresiv se sa zhvillues, vizitojmë Kavajën, me destinacione të tjera.
“Kulla e Sahatit, Xhamia e Kapllan Pashës, Sheshi i Bezistenit dhe Pazari Oriental tani nuk ekzistojnë më. Ato dikur përbënin një kompleks të veçantë”, pohon historiani Rifat Hoxha.
Është qytet 500-vjeçar, por lëvizjen më të madhe administrative Kavaja e përjetoi në shekujt 17-18. Në këtë periudhë bëhet një qendër e madhe tregtare, dyqanet, Pazari i Madh dhe xhamitë kanë qenë emblema e qytetit në Mesjetë, ndërsa sot nga ajo periudhë zhvillimi, qytetit i ka mbetur vetëm Kulla e Sahatit, e ndërtuar nga feudali i fuqishëm Ibrahim Bej Alltuni.
Në qendër të Kavajës, një ndërtesë e madhe të tërheq vëmendjen, investimi prej 1.5 milionë euro dalëngadalë po merr formë. Brenda këtyre xhamave, fshihet një sipërfaqe 6200 metra katrorë, e shtrirë në gjashtë kate, shumë shpejt, kjo hapësirë për vendasit do të bëhet funksionale me katër shërbime që përbëjnë diagramën e ndërtesës.
“Kjo skenë do të shërbejë për shfaqje, dramë, komedi dhe gjini të tjera. Do të rikthehet edhe shërbimi i kinemasë dhe i bibliotekës”, shprehet Taulant Biturku, drejtor i Kulturës në Bashkinë e Kavajës.
Të flasësh për Kishë në Kavajë të duket e çuditshme. Qyteti i ndërtuar nga të ardhurit, kryesisht dibranë, njihet për popullsinë e besimit myslyman. Minaret e rindërtuara pas viteve `90 vërtetojnë lidhjen e vendasve me Allahun.
Në fshatin Cetë të komunës Helmes, shumë pranë Kavajës, gjendet Kisha e Shën e Premtes, e njohur për dy peligrinazhet e mëdha, atë të 25 korrikut dhe 15 gushtit. Ndërtesa, edhe pse në vitet `60 u shpall monument kulture, i ka mbijetuar valës së madhe të shembjes së objekteve të kultit gjatë ish-diktaturës komuniste.
“Është 800-vjeçare. Është e vetmja ndërtesë e stilit romako-gotik që ekziston në Shqipëri. Më shumë e ka ruajtur populli kavajas sesa shteti”, tregon Rifat Hoxha.
Grupi i burrave, i krijuar në fillim të viteve `80 falë pasionit të disa të rinjve që dikur punonin në fabrikën e letrës, i ka sjellë qytetit çmime të vogla dhe të mëdha nga aktivitete brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një prej familjeve më të njohura dhe të vjetra në Kavajë është ajo e Arkaxhijve. Agroni është pinjolli i tyre. E gjejmë në restorantin e vet, i hapur rishtaz me kthimin e tij nga Italia. Duket se ndikimi i kuzhinës së vendit fqinj ka bërë punën e vet, më të thjeshtë e ka të bëjë një picë, sesa një pjatë dasme kavajase, e njohur si traditë e kulinarisë kavajase.
“Duke qenë një familje me traditë kavajase, menduam që të hapim këtë vend sepse është më interesante për vizitorët”, thotë Agroni.
Ky ishte një narracion jo i plotë i traditës dhe vlerave. Por, ajo që kuptuam për Kavajën është se qyteti i artizanatit, këngës e futbollit vështirësitë më të mëdha, duket se po i kalon në luftën e saj me vetveten, në ruajtjen e identitetit, për të treguar se nuk është një qendër urbane e krijuar rastësisht, por mbi baza të forta, i shtrirë në kohë.
Top Channel