Shqiptarët rezistentë ndaj antibiotikëve

09/12/2010 08:40

Mikrobet ne nuk i shohim, por ato janë aty, te ne dhe midis nesh. Madje, tani janë më të forta dhe nuk po u tremben më armëve tona.

Studimet e realizuara në këtë fushë edhe pse jo të plota, tregojnë se rezistenca antimikrobiale është më se dyfishi i mesatares europiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e përdorur në praktikën klinike spitalore dhe ambulatore.

Përfundimet jepen nga një ekspertizë e detajuar e Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare, Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri, si dhe Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Sipas ekspertëve kjo situatë, për një listë shkaqesh janë domethënëse. Kjo si në rastin e stomatologëve, të cilët i japin antibiotikët pasi bakteret janë shumuar dhe jo më parë.

“Por edhe mjekë të ndryshëm, të cilët vetëm në bazë dyshimesh nënshkruajnë recetën me antibiotikë. Po ashtu, mbikëqyrja laboratorike e rezistencës ndaj antibiotikëve në vendin tonë, ende nuk është standardizuar plotësisht”, thuhet në studim.

Sipas ekspertëve të epidemiologjisë dhe infeksioneve, faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e strategjisë dhe e planit veprues për kontrollin e rezistencës ndaj antibiotikëve.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një fenomen që ndërlidhet me shkallën dhe mënyrën e përdorimit të antibiotikëve.

Përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve është faktori kryesor në shfaqjen e rezistencës.

Sipas studimit të Shqipërisë dhe Kosovës, kampionët dhe ekspertizat kanë dëshmuar se pacientët e hospitalizuar kanë gjasa të mëdha për të marrë antibiotikë; gati 50% e përdorimit të antibiotikëve mund të jetë joadekuate.

Shpërdorimi i antibiotikëve mund të përfshijë një sërë faktorësh dhe mund të shkaktojë kolonizimin apo infektimin e pacientëve me baktere antibiorezistente.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) e gjen vendin tonë, ashtu si dhe vende të tjera europiane në alarm nga rritja e rezistencës së mikrobeve ndaj antibiotikëve.

Përdorimi pa kursim i tyre, që prej hyrjes në treg të penicilinës në vitin 1942, por edhe shkaqe të tjera, e kanë kthyer antibiotikun në një luftëtar të dobët, përballë mikrobeve gjithnjë e më të ndryshuara, madje ndonjëherë edhe më të forta.

“Nëse para disa vitesh një sëmundje bakteriale luftohej me një antibiotik të thjeshtë, sot mjekët janë të detyruar të përzgjedhin antibiotikë të tjerë alternativë, por që janë më të shtrenjtë dhe për më tepër kanë edhe efekte anësore”, thuhet në studim.

Strategjitë gjithëpërfshirëse dhe informuese mund të rezultojnë në përdorimin e drejtë të antibiotikëve.

“Duke pasur këto masa mbrojtëse, pacientët në spitalet tona do të kenë më shumë siguri dhe anabiotikët më shumë efekt, ndërsa mjekët më shumë lehtësi në sukses. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi për rrezikun e fuqizimit të baktereve dhe rritjen e pafuqishmërisë së antibiotikëve për shkakun tonë”, rekomandon studimi.

Top Channel