Nxënësi i jashtëzakonshëm

08/12/2010 19:40

Jemi në shkollën 9-vjeçare Skënder Çaçi në Tiranë për të ndarë një ditë mësimi me një nxënës shumë të veçantë.

Do t’ju njohim sot më Iglin, një 8 vjeçar shumë simpatik, por mbi të gjitha një vogëlush që megjithë vështirësitë që i ka sjellë jeta adoptohet dhe arrin të sillet si një fëmijë normal.

Në fakt Igli meriton të quhet i tillë edhe pse aftësia e tij e dëgjimit mungon që prej lindjes. Sikundër mund të kuptohet Adela, vajza që i qëndron në krah nuk është familjare e tij, por interpretja që ndjek vogëlushin nga ora e parë e mësimit deri në të fundit.

“Ne e dimë shumë mirë që Igli është një person që nuk dëgjon. Vështirësit dihen që janë të mëdha, megjithatë me punë, me sakrifica, me arritje qëllimi ynë do arrihet”, thotë Adela.

8-vjeçari, i përfshirë në një projekt social me vullnetin e prindërve, po edukohet në një shkollë normale, pavarësisht kufizmit të tij në dëgjim. Por barriera e të gjithë vështirësive të tij komunikative është Adela.

“Unë bëj shenja në çdo mësim të ri. Çfarë bëhet në klasë unë ia shpjegoj me shenja”, tregon Adela.

“Është punë e vështirë se do rrish në klasë ku ka dhe fëmijë të tjerë. Mund të tërheq vëmendje, ata mund të bëjnë zhurmë e ti s’e dëgjon mësuesen”, shton ajo.

Të mësosh çdo ditë në një klasë ku gjuhën e shenjave s’e njeh njeri, madje as mësuesja, s’është dhe aq e lehtë. Por, Igli dhe gjithë klasa ia dalin ta kuptojnë njëri-tjetrin.

“Ardhja e Iglit në klasën timë ishte e vështirë. Por e pranova edhe për të integruar Iglin, por edhe për t’ju mësuar vlerat e jetës fëmijëve të tjerë”, thotë mësuese Anila.

Ajo tanimë e ka kaluar pjesën e vështirë të punës së saj fillestare me Iglin dhe prania e tij për të, sikurse dhe për klasën mbarë, është kthyer në një kënaqësi.

“Është shumë aktiv. Ndryshimi i tij nga fillimi është shumë i dukshëm. Komunikonte vetëm me shenja, ndërsa tani artikulon fjalë. Tani arrin të lexojë vetëm më fjalë”, shprehet mësuese Anila.

“Është shumë i gjallë, aktiv, sidimos në matematikë. Bie në sy për shkathtësi dhe mënyrën e shpejtë të të kuptuarit”, shton ajo.

E po të qe për vogëlushin, që tani ai nuk do ta kërkonte ndoshta shoqërimin e Adelës çdokund.

“Igli ka mësuar nga shokët dhe ata nga ai. Ata e njohin alfabetin me shenja dhe unë nuk e besoja që do integrohej kaq mirë dhe në fillim isha pak pesimiste”, thekson mësuesja.

“Në fillim donte të ndihmonte një shok, po ai e keqkuptonte. Tani kjo nuk ndodh më pasi fëmijët e kuptojnë Iglin”, shprehet mësuesja.

Por edhe Igli me intuitën dhe zgjuarsinë e lindur di t’i kuptojë shumë mirë shokët në klasë, madje edhe kur ata gabojnë.

“Sot po të ishit në orën e dytë, ai filloi të fliste me zë të lartë dhe të korrigjonte shokun. Është shumë i pranueshëm dhe i këndshëm. Fëmijët e duan dhe e duartrokasin shpesh”, tregon zysha.

Igli është një mesazh i bukur për të gjithë ata, të cilëve jeta nuk ju vjen me bujari, e që me vullnet arrijnë të mposhtin çdo barrierë kufizuese.

Kufizimin e tij fizik ai e ka kompensuar me shpirtmadhësinë e njerëzve që e ndihmojnë të jetojë e përshtatet siç do fëmijë normal.

Por edhe Igli di të jetë mirënjohës atëherë kur ndjen se të tjerët rrezatojnë dashuri rreth tij.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel