“Pleqtë e Krujës” janë grupi i dashur i qindra adhuruesve të folklorit krutan. Themelues e pasardhës, të gjithë bashkë, me dëshirën për të kënduar e për t’i zgjatur jetën grupit aq simpatik që mori rrugë 53 vjet më parë.

Ne i takuam në qendër të Pazarit të Vjetër, aty ku mblidhen çdo të hënë e të premte për të bërë provat e grupit. Për dy orë, ata arratisen nga jeta e përditshme dhe punët me të cilën mbajnë familjen dhe shkojnë në botën e këngës popullore. Me kostumet e bukura, harenë dhe gëzimin “Pleqtë e Krujës” tregojnë se kënga nuk njeh moshë.

Mustafa Aruci, ose baba Faja siç i thërrasin të gjithë, përveç simbolikës që përfaqëson si i vetmi nga të parët “Pleqtë e Krujës”, është lezeti i grupit. Ka qënë rreth 40 vjeç kur u bë pjesë e grupit që aso kohe bëri bujë jo vetëm për këngët e bukura me batuta cytëse e humor, por dhe nga shfaqja e vetë vitalitetit të këtyre pleqve.

“Fillimet e mia kanë qenë në atë kohë në 1954 ku u formuam si grupe nëpër kooperativa dhe nuk iu ndava këtij grupi asnjëherë”, tregon Mustafai.

I mungojnë shumë pleqtë e tjerë që nuk janë më, por gjithashtu është i gëzuar që zëvendësimi i tyre më të tjerë përjetëson vazhdimësinë e grupit. Sipas tij, mosha e të rinjve nuk i trondit aspak bazat e grupit, edhe pse dikur në grupin e tij të gjithë ishin mbi 60 vjeç. Udhëheqësi artisik, Mehmet Llubani, na kthen mbrapa në kohë dhe na shpjegon se emri i grupit u vendos për shkak të moshës, por nga dashamirësit.

“Në fakt grupi i ka të gjitha moshat. Por fillimisht kur u krijua ky grup, në ’57, u morrën për të pasur materiale muzikore sa më origjinale, u morrën moshë e madhe nga 60 e sipër, sepse këta e kishin të freskët në memorie këngën popullore krutane. Duke qenë se u morr grupi më i vjetër ngeli dhe emri ‘Pleqtë e Krujës’”, shpjegon Mehmeti.

Ai udhëheq grupin që prej 17 vitesh. Ata vijnë çdo të hënë dhe të premte në një dhomë të vogël në qendër të pazarit të bëjnë prova në mënyrë krejt vullnetare për të mbajtur gjallë emrin e grupit.

Sot është vetëm bërthama e grupit, se bashkë me instrumentistë e këngëtarë grupi përbëhet prej më shumë se 15 vetësh. Shumë pjesëtarë të grupit ajo çfarë i bashkon nuk është vetëm pasioni, por edhe lidhjet familjare. Skënder Cana ka pasur babain solist në grup dhe i përket brezit të tretë të grupit.

“Jam pjesëtar i këtij grupi që prej 20 vjetësh. Jam plejadë e tretë në këtë grup. Babai im ka qenë pjesëtar i këtij grupi dhe kam kënaqësinë që jam në vazhdimësi të kësaj udhe”, thotë Skënderi.

Ndërkohë Avni Goga përveç lidhjeve familjare ka dhe datëlindjen e grupit.

“Babai im Ali Goga ka krijuar grupin në vitin 1957 që daton dhe me ditëlindjen time. Që në vitin 1973 unë kam hipur në festivalin e Gjirokastrës për herë të parë, 16 vjeç, dhe që nga ajo kohë nuk i jam ndarë grupit”, tregon Avniu.

Dashamir Baruni është një nga më të rinjtë e grupit, jo vetëm nga mosha, por dhe për nga pjesëmarrja. Ai vjen nga një familje muzikantësh dhe madje është fitues i disa çmimeve si solist, por bashkimi me këtë grup është një nder i veçantë për të.

“Unë ndihem shumë mirë që marrë pjesë me grupin e Pleqëve të Krujës”, thotë ai.

Në Krujë tashmë grupi i pleqve është në të njëjtën pikë të lartësisë së identifikimit të qytetit ashtu sikurse kalaja dhe pazari i vjetër. Po të përmendësh Krujën, nuk mund të mos të të shkojnë në mendje Pleqtë e saj dhe këngët e tyre të bukura.

Fakti që grupi i bën dhe provat tek Pazari i Vjetër i jep akoma më domethënie ketij monumenti kulture të gjallë që gëlon në morinë e grupeve të ndryshme si dhe tendencave komerciale të kohës. Momentet më të gëzueshme për grupin janë gjatë turneve në Shqipëri apo jashtë saj.

Ndërkohë, baba Faja, i cili ka kënduar mes më shumë se 80 këngëtarëve, instrumentistëve dhe pjesëtarëve të grupit ndër vite, thotë se s’do ndalojë derisa t’i pushojë zëri.

“Do të vijoj derisa Zoti të më marrë krejt”, shprehet baba Faja.

Ky ka qënë edhe qëllimi i Fadil Tagës, drejtor i Shtëpisë së Kulturës së qytetit të Krujës, themeluesit të këtij grupi si dhe 17 pleqve që u mblodhën në zyrën e tij pa e ditur se do krijonin një grup jehona e të cilit do të mbërrinte deri në ditët e sotme. Pleqtë e Krujës, duket se nuk do plaken kurrë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel