Bordi i librave

01/12/2010 19:20

Çdo herë që flitet për tekstet shkollore, sigurisht që shumë autorë afrohen me idetë dhe punët e tyre, por kjo nuk do të thotë që çdo gjë e shkruar prej tyre përfundon në duart e fëmijëve.

Do të takojmë Jovan Kristiqin, një nga këshilltarët e ministrit të Arsimit, por mbi të gjitha, kryetar i bordit për miratimin e teksteve shkollore, filtri ku varen shpresat për kontrolle të imtësishme ndaj tregimeve si ai për Jehonën e vogël, të cilin sigurisht që zoti Kristiqi e ka lexuar.

“Objektivi i këtij tregimi në tekst është ndjenja e dashurisë e humanizmit për fëmijët jetimë”, shprehet Kristiqi.

Sigurisht që askush nuk do të dëshironte të mendonte që kishte një prapavijë në konceptimin e atij tregimi, megjithatë qëndron fakti se ai tregim është problematik dhe të paktën edhe kryetari i bordit miratues e ndan këtë qëndrim me ne.

“Teksti ka disa detaje që mund të shkaktojnë debate siç janë vizita që bën punonjësi në Kalanë e Rozafës që e ka kaluar Jehonën 19 herë”, thotë Kristiqi.

Dhe si një profesor matematike, detajet numerike janë një tjetër pikë e nxehtë. Por matematika nuk lë vend për opinione.

“Për mua nuk ka lidhje me Jehonën, 19 herë, por ai numëron ardhjet në Shqipëri”, deklaron Kristiqi.

Një nga tekstet e gjuhës shqipe që ka ngjallur shumë debate rreth notave pedofilike, sipas zotit Kristiqi ka një shpjegim shumë të thjeshtë duke u bazuar tek përkufizimi i çfarë është e çfarë jo, pedofili.

“Nga shtypi i vihet akuza pedofili në tekstet shkollore. Por pedofili është kur përshkruhen kontakte fizike. Nëse përshkruhen këto atëherë merr ngjyrën e pedofilisë”, thekson Kristiqi.

Nëse nuk është pedofili, atëherë çfarë është ky tekst që ka ngritur në këmbë prindër e mësues?

“Mendoj se ka disa detaje që për mentalitetin tonë ka një shije të hidhur, atëher ky e ka kapërcyer moshën e një nxënësi të klasës së tretë. Ne nuk mund të futemi në debate me një nxënës apo me një fëmijë të klasës së tretë sepse nuk i kupton këto probleme”, pohon Kristiqi.

Megjithatë, në negociata e sipër marrim premtimin e shumëpritur.

“Rregullat e altertekstit të ri kemi thënë që në rast kundërshtimesh do të bëhet rishikimi. Ky tregim duke qenë jashtë kontaktit për moshën e nxënësve të hiqet në botimet e ardhshme”, thekson Kristiqi.

Tregimi për Jehonën e vogël, ndodhet në faqen 28 të librit të gjuhës shqipe të klasës së tretë, por a janë parë me shumë vëmendje të gjithë faqet e tjera dhe të gjithë librat e ciklit parauniversitar?

“Në të gjitha tekstet në Itali thuhet një fjali që është e pamundur që në një tekst shkollor të mos ketë gabime. Duke pasur parasysh këtë gjë u bëjmë thirrje prindërve dhe mësuesve që të kalojnë ankesat e tyre nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe të bëhen rregullimet e duhura”, shprehet Kristiqi.

Top Channel