“Dëshira ime është që femrat myslimane të mbulohen bukur!”

Rajmonda Maksutaj është një stiliste që dizenjon veshje posaçërisht për gratë myslimane.

29-vjeçarja ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve për Dizajn- Grafikë dhe iu kushtua stilimit duke parë nevojën që kishin për t’u veshur bukur femrat myslimane.

Femrat myslimane duan dikë që të bëjë veshje të bukura sepse rrobaqepësja bën veshje sa për tu mbuluar”, shprehet Rajmonda.

Ndërkohë që në Shqipëri veshja e femrave myslimane shihet si një uniformë, jashtë kjo industri është mjaft e zhvilluar.

“Moda dhe femrat myslimane janë larg, unë po tentoj të vendos stilin, ku secila vajzë të gjejë hapësirën e vet, sipas gustos së saj”, vazhdon më tej stilistja.

Mungesa e një tregu të gjerë dhe stilistëve që dizenjojnë veshje për vajzat muslimane, i ka bërë këto të fundit të mos identifikohen me veshjen e tyre. Vetë Rajmonda kujton se kur u mbulua vetë gjashtë vite më parë, e kishte shumë të vështirë të gjente qoftë edhe një dyqan ku të mund të blinte veshje për vete. Aq më tepër për të pretenduar për estetikë.

“Estetika mund të jetë kudo, edhe te një veshje e shkurtër edhe te e gjatë. Nuk është e thënë që sa më pak të jesh e veshur, aq më bukur dukesh. Veshja e madhe të ofron më shumë mundësi për të hedhur ngjyra”, shpjegon Rajmonda.

Por të gjithë ata që mendojnë për veshjen muslimane, e lidhin atë dhe me kufizimet që sjell ajo. Për shumë njerëz, të mbuluarit e femrës perceptohet si heqje dorë nga liria e saj për të shfaqur feminilitetin. Po për Rajmondën këtu qëndron një keqkuptim i madh: “Keqkuptimi qëndron në faktin se mendohet se myslimanet nuk dinë të vishen, mbulohen tepër dhe unë dua të ndryshoj këtë gjë.”

Po të ishte për Rajmondën, femrat myslimane do të visheshin me shumë ngjyra të kombinuara bukur pasi të mbuluarit të krijon sipas saj, shumë hapësira për të krijuar, të cilat nuk i sheh të shfrytëzuara nga vajzat muslimane. Por çfarë limitesh vendos feja në këtë mes?

“Feja ka rregullat e veta që janë mbulimi nga koka te këmbët, mos të përshkruajë format trupore dhe mos të jetë i tejdukshëm”, thotë stilistja myslimane.

Forma e paraqitjes se dizenjimeve për të nuk ka shumë rëndësi. Ajo ndjen si detyrim ndaj fesë të cilën respekton t’ju krijojë më shumë hapësira femrave myslimane shqiptare.
Megjithëse ka marrë përsipër të dizenjojë veshje muslimane, Rajmonda e sheh shumë larg mundësinë e të bërit të ndonjë sfilate.

Por me gjithë ambicien e munguar, një projekt interesant po i ngacmon këto kohë idetë për të punuar më gjatë në këtë drejtim. Një projekt që ka mbështetjen e menaxherëve të Dolce-Gabbanës: “Bashkë me motrën time që jeton në Itali kemi si synim të hapim një shtëpi mode për femrat myslimane pas mbështetjes që na kanë dhënë menaxherë të Dolce Gabbanës.”

Por pavarësisht kësaj, ndërmarrja e Rajmondës tani për tani është një mission. Të mbulojë bukur femrat myslimane shqiptare, pasi e e bukura të bën dhe më të pranueshme në shoqëri.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA