Manastiret, një histori e harruar

22/11/2010 20:20

Prej vitesh e vitesh tashmë manastiret dhe kishat e luginës së Drinos në Gjirokastër, janë shndërruar në pretë e grabitjeve, shkatërrimit e mbi të gjitha të harresës. Këto monumente kulture rreth 1000 mijë vjeçare sot po shkatërrohen plotësisht. E së shpejti me këtë ritëm nga madhështia e dikurshme do tu mbeten vetëm rrënojat.

Edhe pse shtrihet vetëm pak kilometra nga qyteti i Gjirokastrës dhe nga parku arkeologjik i Antigonesë, rruga për në manastirin e Spilesë është një torturë e vërtetë, mes mungesës së orjentimit, gropave të shumta dhe ngushtësisë së saj që e bën të pamundur këmbimin mes dy automjeteve.

Manastirin për së largu është thuajse e pamundur ta dallosh për shkak të ferrave që janë zgjatur kudo duke i marrë thuajse frymën.

Diku në qendër të manastirit, e mbytur në lagështirë dhe e çarë përgjatë mureve rrethues shtrihet kisha tre shekullore e Shën Mërisë.

Vetëm përmes tabelës së varur në derën e ndryshkur mund të kuptosh se kjo kishë gëzon një status rreth 40 vjeçar si monument kulture. Kjo është shenja e parë dhe e vetme, më tej asgjë, përveç gjurmëve të kohës dhe shkatërrimit.

Plot 28 ikona dhe 4 shandane i janë vjedhur kishës në periudha të ndryshme. Në mungesë të përkujdesjes, grabitësit janë kthyer e rikthyer shumë herë, aq sa banorët e zonës të tregojnë se ka patur tentativa për të shkulur deri edhe gurët apo pjesë të murit të brendshëm të kishës. Kjo ka shkaktuar edhe dëmtimin e pikturave murale që kanë humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm, mes tyre edhe Shën Mëria prej së cilës ka marrë emrin edhe kisha.

« Po të vije e të mos e kishe parë ndonjëherë e ta shikoje, do të thoshe kjo do të flase me gojë, aq e përkryer ishte si vepër pikture », shprehet një banor .

Por kisha e Shën Mërisë është veçse fillimi i një turi ku historia dhe vlerat , mpleksen me rrënimin e harresën. Jo larg prej këtej, në vargmalin hijerëndë të Lunxhërisë është ngritur një kishë eremitësh më e vjetër edhe se ajo e Shën Mërisë.

Për të vizituar kishëzën në shpellë, një ndër më të veçantat në llojin e saj të duhet të kacavirresh mes shkëmbinjve dhe shkallëve të improvizuara nga banorët e zonës. Askush tjetër nuk është kujtuar për këtë vend të shenjtë që ngrihet në një pozicion impresionues rreth 70 apo 80 metra nga toka.

Në brendësi të guvës duket sikur je rikthyer në kohën e eremitëve të lashtë. Mjafton një vështrim i shkurtër përreth për të mësuar e kuptuar për mënyrën e vetmuar në të cilën ata jetonin deri në vdekje në këtë shpellë, e prej së cilës duket se nuk janë shkëputur ende edhe sot.

Në këtë vend të rralle që për fat të keq nuk egziston në hartat turistike, vizitorët më të shpeshtë që thyejnë qetësinë e përjetshme të eremitëve janë barinjtë që disa prej shpellave i kanë kthyer në stane.

Nga kisha e eremiteve udhëtojmë drejt manastirit të Ravenës që shtrihet përmbi Goranxi. Rruga nga fshati drejt objektit të kultit është pak kolometra por të përshkueshme vetëm në këmbë në një rrugëtim që zgjat më shumë se 1 orë e 30 minuta. Me të mbërritur përballë të shfaqet një manastir hijerëndë por dëmtimet e të cilit janë të dukshme e pjesë të caktuara duket sikur do të rrëzohen nga çasti ne çast. Në brendësi të tij manastiri është thuajse i shpërfytyruar.

Manastiri ortodoks i Ravenës është bërë me dhjetra herë objekt i sulmeve të grabitësve, të cilët kanë shkulur ç’ të mundin, nga ikonat e deri tek zbukurimet e ndryshme. E sikur të mos mjaftonte, shpesh ata kanë rrëmuar edhe mes eshtrave të priftërinjve që gjenden në bodrumet e poshtme të kishës.

Ashtu si në kishën e Shën Mërisë e atë të eremitëve të lashtë, edhe këtu në Manastirin e Ravenës ka mëse 20 vjet që nuk vihet dorë qoftë për të bërë restaurimin më të vogël.

« Po ato do të rrëzohen vetvetiu. Po nuk vure dorë… po nuk i dhe djalit të hajë do qajë, kështu edhe ajo », tregon një banor i zonës.

Kjo është sot gjendja në shumicën e manastireve e kishave në rrethin e Gjirokastrës dhe jo vetëm. Kudo ndihet aroma e shkatërrimit, nga manastiri 700 vjeçar i Pepelit, tek kisha bizantine e Labovës së Kryqit, tek manastiri 1 mijë vjeçar i Dhuvjanit tek Kisha e Peshkëpisë së Poshtme, tek ato të Varroshit, e Jorgucatit, kudo , këto simbole jo vetëm fetare po zhduken me shpejtësi duke marrë pas tyre një pjesë të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

Një histori që tashmë po shkruhet në emër të një barbarie 20 vjeçare, ku shteti s’ bën asgjë tjetër perveçse të sodisë nga larg, këtë masakër të pakthyeshme.

Top Channel