Ambasadori holandez: Politika ka sjellë zhgënjim

27/09/2010 08:15

Ambasadori holandez në Tiranë, Henk Van Del Dool, i ka përcjellë dje mesazhin mazhorancës dhe opozitës të mos pengojnë axhendën europiane.

Ambasadori holandez bëri me dije se në një vit e gjysmë, politika shqiptare ka përcjellë zhgënjim për atë çfarë ka ndodhur, duke lënë pas dore detyrat e saj. Në një kohë kur opozita kërkon zgjidhje të shpejtë për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe ka paralajmëruar rifillimin e protestave, ambasadori i Holandës në Tiranë lëshon alarmin për politikën shqiptare që të gjejë menjëherë zgjidhjen.

Këtë bllokim, diplomati holandez në Tiranë e shikon si një krizë që pason çështjet e tjera të rëndësishme për vendin. Ai sjell në vëmendje se çdo vonesë është lojë në kurriz të zgjedhjeve lokale, e ndërkohë që në vend zotëron perceptimi se historia e 28 qershorit 2009 ende nuk është mbyllur.

“Jam i zhgënjyer për çfarë ka ndodhur dhe për çfarë nuk po ndodh në këtë vend, pasi ka kaluar një vit e gjysmë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe vendi po përgatitet për zgjedhjet vendore, e në njëfarë mënyre kam përshtypjen se zgjedhjet e 28 qershorit nuk kanë përfunduar. Si mazhoranca ashtu dhe opozita nuk po gjejnë gjuhën e kompromisit, duke ruajtur atë që e njohim si situatë të krizës politike apo diçkaje të ngjashme me të. Kjo nuk është një situatë që ndihmon perspektivën europiane të Shqipërisë apo atë të zgjedhjeve lokale”, u shpreh ambasadori holandez në Tiranë.

Problemi kryesor i politikës shqiptare që vijon të endet pa një zgjidhje, sipas diplomatit holandez është se këtu, forcat politike duan vetëm të fitojnë. Sipas tij, fitues apo humbës qofsh, në Parlament duhet bashkëpunim dhe vendi ka nevojë në radhë të parë për reforma dhe ato duhen bërë. “Problemi është se në Shqipëri, tradicionalisht mendohet se politika ka të bëjë vetëm me fitoren. Shpresoj që, në të mirën e zhvillimit të vendit, kushdo që është në mazhorancë apo në opozitë, fituesi apo humbësi, të ulen e të bashkëpunojnë në Parlament për të gjetur zgjidhje. Duhet të ulen e të përqendrohen në çështje të caktuara sipas një axhende, pasi reformat duhen bërë”, tha kryediplomati holandez.

Lidhur me liberalizmin e vizave, ambasadori holandez sqaron dhe një herë procedurën nëpër të cilën po ecën ky proces që prej fillimit të verës, kur vendit iu lanë dhe tre kushte për t’u përmbushur. Sipas tij, Shqipëria ka bërë më të mirën në këtë drejtim dhe thotë se shpreson që lëvizja e lirë të arrihet shumë shpejt. Megjithatë, ajo çfarë ka arritur Shqipëria do të shtrohet për diskutim e miratim në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Ministrave.

Top Channel