Shkarkohet kreu i IQT-së

26/09/2010 08:15

Nis epoka e ndryshimeve në institucionet vartëse të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila drejtohet prej një jave nga Ilir Meta, njëherësh zv/kryeministër.

Burime zyrtare të ministrisë konfirmojnë për “Shqip” vendimin për shkarkimin nga detyra të kryeinspektorit të naftës dhe gazit, Ardian Dautaj, ish-drejtues i LSI-së për degën e Ballshit. Në vend të tij, në krye të Inspektoratit Qendror Teknik është emëruar një tjetër ballshiot, Ardian Alushi, kandidat për kryetar bashkie në Ballsh dhe ish-drejtor i Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës deri në vitin 2005.

Zyrtarisht nuk është dhënë asnjë motiv rreth lëvizjeve të kryera nga ministri Meta, por ajo që dihet është se IQT është përfshirë kohët e fundit në akuza për korrupsion nafte dhe gazi, dhe ndryshimet e “kokave” lidhen me konfliktin brenda llojit. Dautaj ishte emëruar nga ministri Dritan Prifti më 5 qershor, pas arrestimit të kreut të IQT-së, Virgjil Joti, me akuzën për korrupsion.

Deklarata e fundit publike e Dautaj lidhej me masat ndëshkuese që kishte marrë IQT-ja në shtator ndaj cilësisë së naftës dhe gjobat e vendosura në shumë pika karburanti.

Top Channel