HEC-et devijojnë 3 lumenj

13/08/2010 15:50

Një projekt i qeverisë së Kosovës për ndërtimin e një hidrocentrali në afërsi me kufirin e Shqipërisë pritet të ketë impakte të forta mjedisore në zonën e Kukësit.

Hidrocentrali i Zhurit, për të cilin qeveria kosovare ka nisur zyrtarisht procedurat e tenderimit, devijon ujrat e tre lumenjve, Bushtrice, Caje dhe Orgjot, të cilët derdhen në tokën shqiptare.

“Ky eshte nje projekt qe ka impakt shkaterrues per zonen e Kukesit. Uji shkon për ndertimin e hidrocentralit dhe ne pjesen tone mbeten vetem ujerat e zeza te Dragashit”, thotë një inxhinier.

Konventat ndërkombëtare ndalojnë kategorikisht devijimin në mënyrë të njëanshme të ujrave nga rrjedha e tyre natyrale dhe kushtëzojnë se kjo bëhet vetëm me marrëveshje dypalëshe. Top Channel është interesuar në lidhje me këtë cështje pranë të dy qeverive, por ka marrë përgjigje vetëm nga Ministria kosovare e Energjetikës.

Pala kosovare konfirmon projektin dhe bën të ditur se për këtë cështje është ngritur një grup pune me ekspertë të të dy vendeve. Në përgjigjen zyrtare dërguar Top Channel Ministria e Energjetikës së Kosovës thotë “studimet e bëra (që nga viti 1956 e deri te studimi i fundit i vitit 2009) kanë treguar që Projekti HEC-it të Zhurit ka implikime në ujërat kufitare dhe për këtë arsyeje është krijuar një grup ndërshtetëror i cili do të studiojë dokumentacionin si dhe do të negociojë me palën e Republikës së Shqipërisë të gjitha çështjet relevante lidhur me ndërtimin e HeCit te Zhurit.”

Sipas qeverisë së Kosovës, grupi me ekspertë të të dy vendeve pritet të mblidhet në fund të këtij muaji. Ndërsa, tashmë është i qartë pozicioni i qeverisë së Kosovës, ende nuk dihet se cfarë qëndrimi do të mbajë pala shqiptare e cila nuk ka dhene asnje informacion per kete ceshtje.  

 

Top Channel