Raporti, plazhet që duhen mbyllur në Durrës e Vlorë

04/08/2010 09:25

Një ditë pas publikimit të pjesshëm të raportit të Ministrisë së Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik për ndotjen në plazhe, gazeta “Shqip” ka siguruar të plotë këtë raport, që sugjeron deri edhe mbylljen e disa prej plazheve më të populluara të vendit.

Raporti monitorues i rendit të gjitha problemet e ndotjes së plazheve, ku në listë vendin e parë të papastërtive e zënë derdhjet ilegale të ujërave të zeza në det.

Por edhe mbeturinat që shpesh i shoqërojnë pushuesit në plazhe, në rrugë kryesore, e pranë mjedisit ku qëndrojnë, kthehen në kërcënim për shëndetin.
Sipas raportit vlerësues dhe monitorues të ndotjes në plazhe, një tjetër problem që hasin pushuesit në plazhet shqiptare janë edhe shëtitjet e tregtarëve me kafshë përgjatë vijës bregdetare.

Raporti

Sipas raportit të vlerësimit të kushteve të plazheve në vend, në Durrës, në zonën e bërrylit, aty ku ndodhen një sërë lokalesh dhe restorantesh, rëra e plazhit ka një ngjyrë të errët dhe erë shumë të rëndë.

Burime të dukshme ujërash të zeza nuk duken përveç disa shkarkimeve të ujërave të bardha. “Rezultati i analizave bakteriologjike të bën të mendosh se duhet të ketë ndonjë shkarkim ujërash të zeza që derdhen në mënyrë të fshehtë.

Plazhi i Currilave ka degraduar plotësisht dhe në gjendjen që është duhet të mos përdoret për qëllime pushimi. Mendojmë se zona Skelë në Vlorë, deri te Plazhi i Ri, duhet që të ndalohet për larje, sepse përbën rrezik të lartë për shëndetin e popullatës deri sa të merren masa për rregullimin e gjendjes”, sqarohet në raportin e monitorimit.

Sipas konstatimeve, në Sarandë, gjysma e lagjes 4, Limion, nuk ka kolektor të ujërave të zeza, të lidhur me kolektorin kryesor dhe një pjesë e ujërave të këtyre pallateve të reja derdhen në det pa asnjë trajtim.

Analizat bakteriologjike tregojnë se ujërat urbane të qytetit të Lezhës, nëpërmjet stacionit të pompimit që ndodhet pranë lumit Drin, derdhen në det në zonën e lagunës në Kune Vainit, pa asnjë lloj trajtimi.

Zona e Kune Vainit është zonë turistike me bukuri të pakrahasueshme natyrore, që mund të shërbejë për zhvillimin e turizmit bregdetar për qytetin e Lezhës.

Shpeshherë në plazhin e Velipojës dhe të Shëngjinit vihen re kafshë shtëpiake si lopë, që kullosin në pirgjet e plehrave në plazhe.

Në plazhin e Golemit dhe në zona të tjera të plazhit të Kavajës, vërehen fshatarë që shesin fruta e perime me kafshë, duke kaluar në mes të plazhit, mes pushuesve.

“Në plazhin e Golemit, shkarkimet e ujërave urbane të fshatit Golem dhe nga shkrimet e pakontrolluara të ujërave urbane në përroin e Agait e në kanalin e ujërave të larta që përshkon këtë plazh, gjendja është alarmante”, referon raporti.

Top Channel