Humbja nga kriza

31/07/2010 16:45

Grafiku që tregon rritjen e të ardhurave mesatare për frymë të shqiptarëve, sipas fuqisë blerëse është ndoshta treguesi më i qartë i pasojave të krizës në ekonominë shqiptare.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të ardhurat e shqiptarëve për frymë në vitin 2009 u rritën gati tre herë më pak se sa mesatarja historike në vitet para krizës.

Vetëm si pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike nga 6 në 3 përqind, për dy vitet e fundit, 2009-2010. Pikërisht nga kjo rënie e rritjes ekonomike për shkak të krizës, kostoja e krizës për ekonominë shqiptare vlerësohet rreth 650 milionë dollarë.

Zyrtarisht Shqipëria nuk hyri në reçesion, pasi edhe në 2009-ën i shpëtoi rënies ekonomike, ndryshe nga vendet e tjera fqinje. Por edhe pse nuk hynë zyrtarisht në krizë, shqiptarët nuk u pasuruan më shumë se fqinjët e tyre.

Ky grafik, që bazohet në të dhënat e Fondit Monetar tregon se sa janë rritur të ardhurat mesatare në katër vitet e fundit në rajon, sipas fuqisë blerëse, të zhveshura nga kursi i këmbimit dhe ndryshimet e çmimeve mes vendeve.

Në katër vjet të ardhurat e shqiptarëve u rritën me 1811 dollarë, më pak se ato të kroatëve me 2580 dollarë, malazezëve me 2434 dollarë dhe serbëve me 2290 dollarë.

Kjo do të thotë se edhe pse i shpëtuan krizës, shqiptarët janë pasuruar më ngadalë se sa fqinjët e tyre në krizë.

Në fund shqetësimi tjetër është se tani ekonomia nuk do ta ruajë dot as këtë ritëm të rritjes së të ardhurave që do të bjerë. Shqetësim ky i parlajmëruar edhe nga vetë ministri i Financave.

E ardhmja e ekonomisë pas krizës ka shumë pasiguri dhe të panjohura, por shumica e ekspertëve bien dakord në një pikë, atë se rritja ekonomike ka pak gjasa t’u rikthehet sërish  niveleve të para krizës.

Kjo do të thotë se edhe pse zyrtarisht Shqipëria nuk hyri në reçesion, fatura e krizës për shqiptarët  është e lartë.

Top Channel