Buxheti 2011, gati brenda 31 gushtit

23/07/2010 08:10

Ende pa u mbyllur procesi i rishikimit të shpenzimeve për këtë vit, me debate të shumta në Parlament, Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e buxhetit 2011.

Ministri i Financave ka lëshuar një udhëzim në formë urdhri për të gjitha institucionet, mbi formën se si duhet të plotësojnë formularin me të ardhurat dhe shpenzimet.

Ndryshe nga vitet e kaluara, ministria u ka kërkuar njësive publike të jenë të kujdesshme në përgatitjen e projektbuxhetit 2011, sidomos në pjesën e shpenzimeve, ku theksohet disa herë rëndësia e paraqitjes në formë të detajuar.

Tjetër risi në përgatitjen e buxhetit është paraqitja e shpenzimeve për paga, personel etj., si dhe parashikimi i të ardhurave, duke vendosur çdo burim të mundshëm.

“Ritheksojmë se raportet që duhen të dorëzohen deri më datë 31 gusht 2010 nga institucionet qendrore dhe fondet speciale të tyre, duhet të jenë të pasqyruara sipas udhëzimit të ri, duke përjashtuar shtesat”, citon ministri.

Ministria e Financave, prej tre vitesh aplikon standarde të reja në hartimin e buxhetit, duke nisur me fazën e parë, që është caktimi i tavaneve për çdo institucion në tri vitet e ardhshme.

Pas kësaj, hartohet projektbuxheti, duke iu referuar tavaneve të përgatitura më parë, pa tejkaluar planin.

Megjithatë, ka raste kur institucionet përfitojnë më shumë fonde nga sa është parashikuar në planin buxhetor afatmesëm, dhe kjo ndodh kur kërkesa e tyre është bindëse dhe paraqitet me analizë të detajuar të projektit.

Top Channel