PE diskuton rezolutën për Shqipërinë

07/07/2010 20:35

Rezoluta për Shqiperinë, përpiluar nga raportuesi Nikolaos Chountis, është sërish objekt ndryshimesh deri në votimin përfundimtar të saj në seancë plenare të së enjtes. (UPDATE)

Edhe pse rezoluta u miratua me ndryshimet e bëra në kompromis mes të majtës dhe të djathtës europiane, në ditën e debatit regjistrohen 6 amendamente shtesë nga eurodeputetët socialdemokratë dhe 5 të tjera nga ekstremistët e djathtë.

Nga grupimi i majtë, Boshtinaru dhe Severin propozojnë që rezoluta t’i referohet dhe takimit ndërparlamentar të stabilizim-asociimit BE-Shqipëri, zhvilluar ne 3 dhe 4 maj në Bruksel, si dhe rezolutës së Këshillit të Europës “për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri”.

Për pasojë, mbështetja e plotë e PE ndaj perspektivës europiane të vendit në të ardhmen, sipas amendamentit 3 të mbetet prioritet “sapo vendi të arrijë një nivel të stabilitetit politik e sigurisë dhe të përmbushen plotësisht kriteret e Kopenhagenit”.

Në amendamentin 4, sipas dy eurodeputetëve të majtë, duhet të bëhet “thirrje ndaj qeverisë dhe opozitës për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm, në mënyrë që të garantojë respektimin e plotë të vullnetit demokratik të qytetarëve shqiptarë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme, ndërsa siguron aktivitet të plotë e të pandërprerë të Kuvendit”.

Amendamenti pasardhës, që flet për liberalizimin e vizave, duhet të theksojë po kështu sipas ndryshimeve që propozojnë Boshtinaru dhe Severin se, përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri, si dhe qëndrimi i blloqeve politike në takimin e parë ndërparlamentar të Stabilizimi-Asociimit BE-Shqipëri, që dështoi për miratimin e një deklarate të përbashkët, mund të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave.

Ndaj nxiten të dy palët politike për të negociuar në funksion të një rezultati pozitiv dhe të qëndrueshem të krizës, duke nënvizuar se, nëse nuk gjendet një kompromis, Komisioni Europian duhet të vëre në pritje të gjithë procesin.

I vetmi ndryshim i të majtës europiane që nuk lidhet me situatën politike është ai në amendamentin 6, në paragrafin 8 të të cilit shtohet se, “reforma e sistemit gjyqësor dhe garantimi i dënimit janë parakushtet kryesore për procesin integrues të Shqipërisë në BE”.

Në paragrafin e 10 të të njëjtit amendament, ekstremistët e djathtë propozojne që të thuhet se “Shqipëria nuk është gati për liberalizimin e vizave”. Në amendamentet e tjera shtesë, dy radikalët Batten dhe Badlener kërkojnë të theksojnë se, “Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara në Europë”.

“Verehet se Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike, një organizatë e cila ndalon të drejtat e njeriut dhe nuk përputhet me principet e BE-së”, thuhet më tej.

Ekstremistët e djathtë propozojnë që rezoluta e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë të rekomandojë madje “ndërprerjen e procesit integrues të Shqipërisë” dhe “nxit Komisionin e Këshillin që të mos nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë”.

Pas debatit të pasdites, rezoluta për Shqipërinë do t’i nënshtrohet forcës së votave në seancën plenare të së enjtes.

Top Channel