Dënohet nga gjykata, tenton të vetëvaret

07/07/2010 08:50

Ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të protestuar ndaj një vendimi të gjykatës një 47-vjeçar nga fshati Hambar i Rrethit të Fierit.

Ai ka vendosur të vetëvarej përpara organeve të drejtësisë, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të togave të zeza. Historia ka nisur kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Fierit ka shpallur fajtor 47-vjeçarin Gëzim Bushi për veprën penale të kanosjes dhe e ka dënuar me 250 mijë lekë gjobë.

Në procesin gjyqësor, Gëzim Bushi ka pretenduar se çështja në ngarkim të tij ka qenë e padrejtë dhe se pas tyre fshihej një oficer i policisë gjyqësore, por gjykata e ka hedhur poshtë çdo pretendim të tij, si të pabazuar në prova, madje i ka konsideruar deklaratat abuzive dhe spekulative.

Bushi ka kërkuar pafajësi dhe nuk ka pranuar se ka kanosur bashkëfshatarin me armë gjahu, duke pretenduar se nuk e ka prekur atë, por se armën e gjahut e kishte fshehur që të mos binte në duart e të birit, adoleshent.

“A.B më qëlloi mua dhe jo unë atë. Po të kisha qëlluar si do ta bëja unë kallëzimin. Jam i pafajshëm. Nëse jam i fajshëm le të më dënojnë me 30 vjet burgim”, ka deklaruar 47-vjeçari. Gjithsesi gjykata vendosi ta deklarojë fajtor të pandehurin Gëzim Bushi për kryerjen e veprës penale të “kanosjes”, duke e dënuar atë me 250 mijë lekë gjobë nga 300 mijë që kishte kërkuar në pretencë prokurori i çështjes.

Pikërisht ky vendim i gjykatës, i dhënë në datën 16 qershor ka irrituar 47-vjeçarin, i cili ka tentuar të vetëvarej si formë presioni për padrejtësinë që ai pretendon se i është bërë. Disa ditë më radhë ai është sorollatur nëpër gjykatë dhe prokurori për të gjetur një rrugë për ankimim ndaj vendimit të gjykatës. Por kur ka hasur indiferentizmin e gjyqësorit dhe organit hetimor, 47-vjeçari ka vendosur të tërheqë vëmendjen e të gjithëve në një tjetër mënyrë. Ai vendosi të vetëvarej pranë këtyre institucioneve, duke thirrur më parë mediat, të cilat do ta kthenin në një “show” tragjik këtë akt.
 
Ai ka tentuar të vetëflijohej përpara gjykatës dhe prokurorisë, por është larguar nga rojet e sigurisë. Stacioni i fundit i 47-vjeçarit ka qenë zyra e një avokati, pranë godinës së prokurorisë. Nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mediave dhe vëmendjen e të gjithë kalimtarëve apo administratës së dy institucioneve të drejtësisë 47-vjeçari ka deklaruar se nuk kishte mundësi të paguante gjobën e dhënë nga gjykata dhe se ishte i pafajshëm. Policia mundi të ndërhyjë në kohë dhe ndaj 47-vjeçarit tashmë ka nisur procedimi në gjendje të lirë. Ndërkohë policia nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për ngjarjen.

Top Channel