Mediat italiane: Shqipëria, tokë me bukuri të rralla

26/06/2010 13:45

Gazeta italiane “Corriere della Sera”, ne seksionin online te saj flet për Shqipërinë dhe mrekullitë e natyrës që vendi ynë ofron për turistët e huaj.

Në një shkrim publikuar sot nga gazetarja Marisa Fumagalli, thuhet se në Shqipëri mund të kalojë pushime ai turist që ka shpirtin e udhëtarit, që është kurioz, i gatshëm për gjëra të reja dhe që nuk kërkon perfeksionin.

“Shkoni dhe zbuloni një tokë që fsheh bukuri të rralla, det transparent, plazhe të pandotura, pyje, lumenj, male dhe vende arkeologjike. Sigurisht që ambienti urban po rritet në mënyë të parregullt me ndërtime të egra, që është limiti i zhvillimeve të demokracive të reja dhe të dobëta.Megjithatë duhet theksuar dicka që nuk është me pak rëndësi: Shqipëria sot është një vend i sigurtë. Shqiptarët janë kryesisht mikpritës dhe gati për dialog. Shumë prej tyre kanë mësuar italishten duke parë televizor, ndërsa të rinjtë mësojnë vullnetarisht gjuhët e huaja, kryesisht atë angleze”, shkruan Fumagalli.

Sipas saj për të vizituar rivierën shqiptare, një turist italian është mirë të niset nga Vlora, (qytet të cilin e kujton si portin e skafistëve), qe e krahason me Riminin.

“Riviera është e mrekullueshme dhe në të mund të shijohen plazhe të pastra, gjire të shumta me rërë të imët apo gurë e shkëmbinj”, thuhet më tej në shkrim.

Po ashtu gazetarja këshillon që disa ditë pushime mund të kalohen edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, e cila brenda pak vitesh ka ndryshuar pamje.

“Po le të kthehemi te udhëtimi buzë brigjeve. Nga Vlora duhet të marrësh Llogaranë një rrugë tashmë e gjere dhe e rregulluar që arrin deri në 1 mijë metra mbi nivelin e detit. Me të arritur majën zbret ngadalë drejt fshatrave bregdetarë. Fillimisht Dhërmiu, i cili ka edhe një manastir antik. Prej këtu përmes një rruge të ngushtë zbret në plazhin e Gjipesë, një pejsazh spektakolar. Po ashtu ka edhe disa fshatra të tjerë, të cilët janë pushtuar nga ndërtime të shumta. Më pas mbërrijmë në Himarë e pak më poshte në Porto Palermo, ku ndodhet kështjella e Ali Pashait, që sot është zonë ushtarake”, thuhet më tej në shkrim.

Gazetarja ka pikasur edhe vendet e qëndrimit për ushtarakët nëpër male mes bimësisë për t’u ruajtur nga armiqtë që pretendonte të kishte ish-diktatori Enver Hoxha, dhe bunkerët e shumtë në numër, trashëgimi e shemtuar prej tij edhe në ditët e sotme.

“Saranda është qyteti më jugor i Shqipërisë. Një xhungël cimentoje, fatkeqësisht. 20 kilometra larg saj ndodhet parku i mrekullueshëm i Butrintit, vend arkeologjik që mbrohet nga UNESCO. Rruga për në këtë qytet antik po rregullohet dhe udhëtimi për aty bëhet pak i bezdisshëm. Megjithatë do ju këshilloja që të vizitoni edhe Gjirokastrën, qytetin e gurtë, një prej shembujve më domethënës të arkitekturës shqiptare”, shkruan Fumagalli, në këtë prezantim të sajin të realitetit shqiptar.

Bukuritë natyrore të Shqipërisë janë të padiskutueshme dhe vendet që tregojnë për të traditat, kulturën, origjinën tonë mbeten tepër të rëndësishme. Po deri kur do të vazhdojmë ne shqiptarët të shkatërrojmë me duart tona këto mrekulli që na ofron riviera dhe jo vetëm?…

Top Channel