Inaugurohet sot aeroporti i Kukësit

25/06/2010 09:05

Katër vjet pas përfundimit do të inaugurohet sot aeroporti i Kukësit, i ndërtuar me kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjithashtu kjo vepër do të quhet tashmë me emrin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan”.

Ky ka qenë vendimi më i fundit i qeverisë së Shqipërisë për këtë aeroport, vendim që do të promovohet pikërisht sot pasdite, kur në ceremoninë e rastit është njoftuar pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me një delegacion të zgjeruar, ndërsa nga ana e Tiranës do të marrë pjesë zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ministri i Brendshëm Lulzim Basha etj.

Aeroporti i Kukësit u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, i argumentuar si një mirënjohje për atë që bëri Kukësi në ndihmë të refugjatëve të luftës, ndërsa ka nisur së ndërtuari në vitin 2003.

Top Channel