Bendo, peticion ndaj Top Channel

23/06/2010 21:15

Një pjesë e gjyqtarëve të gjykatës së Tiranës kanë firmosur një deklaratë, ku kërkojnë të mos denigrohet figura e gjyqtarëve të kësaj gjykate nga televizioni Top Channel, pa dhënë asnjë argument se në cilin rast Top Channel ka denigruar figurën e këtyre gjyqtarëve.

Në deklaratën e lexuar nga gjyqtarja Fida Osmani thuhet se, Top Channel po pengon gjyqtarët e gjykatës së Tiranës të japin drejtësinë, edhe pse asnjë prej këtyre gjyqtarëve nuk mund të vërtetojë deri më tani se ku ka cënuar të drejtën e ushtrimit të drejtësisë Top Channel ndonjëherë.

“Gjyqtarët e Tiranës i kërkojnë Top Channel që të ndërpresë veprimet ndaj gjyqtarëve që po gjykojnë këtë cështje. Top Channel po pengon gjyqtarët në përmbushjen e misionit të tyre, që është vendosja e drejtësisë”, ka deklaruar gjyqtarja Fida Osmani.

Edhe pse në cilësinë e gjyqtares më të vjetër të kësaj gjykate, nuk lexoi në asnjë pjesë të deklaratës së saj se kur ka hasur gjatë përvojës së gjatë si gjyqtare një rast kur Top Channel ka cënuar të drejtat e gjyqtarëve.

Por në këtë deklaratë, nga shpejtësia e reagimit, gjyqtarët qe e hartuan nuk sollën asnjë provë se kur Top Channel ka denigruar të gjithë gjyqtarët e gjykatës së Tiranës, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë të gjithë dakord me këtë deklaratë.

Deklarata është firmosur afërsisht nga një e treta e kësaj gjykate dhe në deklaratë thuhet se, kjo është vendim i të gjithë trupës gjyqësore të Tiranës.

Mesa duket, ai që shkroi deklaratën nuk di akoma që 37 firma nuk janë të barabarta me 79 gjyqtarë, që përbëjnë të gjithë trupën dhe për më tepër nuk arrin as 40 për qind dhe as 51 për qind, që të quhet mendimi i shumicës.

Gjyqtarët firmëtarë të këtij peticioni nuk kanë sjellë asnjë rast në deklaratë se kur ata që kanë firmosur janë denigruar nga Top Channel, ndërkohë që emrat e pjesës më të madhe të firmëtarëve nuk janë përmendur ndonjëherë në Top Channel e jo më të jenë denigruar, sic shkruhet në deklaratë.

Përkundrazi, të gjithë ata që kanë firmosur në këtë deklaratë kanë gjetur mbështetjen vetëm në televizionin Top Channel, që për më shumë se dhjetë vjet ka zhvilluar me dhjetra emisione dhe me qindra kronika televizive në mbështetje të pavarësisë së gjyqësorit, si edhe ka qenë një palë e të gjithë atyre që kanë ngritur zërin për të ndaluar ndikimet mbi gjyqësor.

Në fund të deklaratës gjyqtarët janë shprehur se, Top Channel duhet t’i drejtohet Gjykatës se Apelit për të kundërshtuar vendimin e padrejtë të dhënë nga gjykatësi Bendo.

Ndërkohë që vetë gjyqtarët edhe pse janë njohësit më të mirë të ligjit në Shqipëri, nuk iu drejtuan një gjykate, por dolën në një konferencë publike.

Nga ana tjetër, vetë gjyqtarja e ngarkuar për të lexuar deklaratën nuk diti të japë një koment nëse vendimi i dhënë prej Bendos ishte i drejtë apo jo dhe ajo nuk pranoi të japë një përgjigje se 37 gjyqtarët që firmosën peticionin nga 79 që ka kjo trupë gjyqësore do të jepnin të njëjtin vendim në mbështetje të ministrit Pango apo jo.

“Ne nuk gjykojmë vendimin, ne gjykojmë fushatën ndaj trupës gjyqësore, që është duke na cënuar në dinjitetin tonë. Kaq”, ka theksuar gjyqtarja Osmani.

Ajo që të bie në sy në deklaratën e gjyqtarëve është fakti, se pesë prej firmëtarëve kanë filluar punën si të tillë vetëm përpara një muaji. 14 të tjerë kanë marrë masat e vërejtjeve të rënda nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Ata që në të vërtetë konsiderohen si elita e gjykatës së Tiranës dhe që kryesisht kanë patur gjyqet më të rëndësishme dhe që kanë dhënë vendimet për dënimin e bandave të armatosura, të vrasësve më të bujshëm në vend, nuk janë bërë firmëtarë të kësaj deklarate, duke lënë të kuptohet se Top Channel jo vetëm që nuk ka denigruar kurrë një njeri të drejtësisë, por ka qenë përkrah saj duke përkrahur të drejtën.

Top Channel