Rritet fondi për kompensimin e ish-pronarëve

20/06/2010 08:10

Të ardhurat nga procesi i legalizimeve po shtojnë fondin e kompensimit të ish-pronarëve, në tokat e të cilëve janë ndërtuar objekte pa leje, informale.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave, për periudhën janar-maj 2010, flasin për një rritje të ardhurash nga legalizimet në masën 22 për qind, ose një fond i krijuar në total prej 552 milionë lekësh (gati 5 milionë dollarë).

Për të gjithë vitin 2010, parashikohen të mblidhen rreth 1 miliard e 400 milionë lekë nga taksat dhe tarifat e procesit të legalizimeve, një pjesë e të cilave do të shkojnë për kompensimin e atyre pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Sakaq, qeveria nuk ka vendosur ende një datë se kur do ta mbyllë procesin e likuidimit të ish-pronarëve për këtë vit.

Mesatarisht, ish-pronarëve u janë akorduar çdo vit nga 5 milionë dollarë prej buxhetit të shtetit, ndërsa për këtë vit parashikohet një vlerë më e madhe, pasi një pjesë nga të ardhurat e privatizimeve dhe legalizimet do të shkojnë për llogari të kompensimit.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në shkurt të këtij viti ligjin për krijimin e fondit special për kompensimin e ish-pronarëve, duke i hapur rrugë zgjerimit të burimeve financiare që bëjnë të mundur përshpejtimin e procesit. Por ish-pronarët, në qëndrimet e tyre, shprehin rezerva mbi mënyrën sesi është menaxhuar fondi i krijuar nga procesi i legalizimeve.

Sipas përfaqësuesit të ish-pronarëve, Myrshit Vorpsit, me lejet e legalizimeve të dhëna deri tani nga qeveria, është krijuar një fond prej të paktën 46 milionë dollarë. Ky fond, sipas Vorpsit, duhej të kishte shkuar për kompensimin e ish-pronarëve, gjë e cila nuk ka ndodhur, pasi qeveria që nga koha e nisjes së disbursimit, ka ndarë rreth 25 milionë dollarë.

“Rreth 46 milionë dollarë, shteti shqiptar tashmë duhet t’ia kishte paguar këtyre 1688 personave, sepse ligji i legalizimeve parashikon që brenda një periudhe 6-mujore nga data e publikimit në Fletoren Zyrtare të këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave, pronarët duhet të kishin marrë paratë e tyre”, thotë sekretari i shoqatës

“Pronësi me drejtësi”. Sipas ish-pronarëve, për vitin 2010 nga buxheti i shtetit për kompensimin janë 23 milionë euro, kurse në planin afatmesëm, pra për të gjithë 4-vjeçarin, planifikohen në total rreth 146 milionë euro për kompensimin e pronarëve. “Ku do t’i marrin parate si pronarët që do kompensohen për efekt të ligjit për kompensimin, ashtu dhe pronarët që do shpronësohen për efekt të legalizimit. Nëse do të marrim vetëm dy vitet e para shifrat nuk mjaftojnë vetëm për të paguar këto 46 milionë euro”, vijon Vorpsi.

Procesi i kompensimit të ish-pronarëve varet edhe nga ecuria e krijimit të fondit special, i miratuar me vendim qeverie në shkurt. Fondi special për pronarët përbëhet nga të ardhurat buxhetore, ku përfshihen të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore.

Në pikën 2 të nenit 5 të ligjit, thuhet se “pronarët që kanë fituar të drejtën për shpërblim, në përputhje me ligjin ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit, në varësi të të ardhurave të arkëtuara prej transferimit të pronësisë së parcelave ndërtimore”. Gjithashtu, qeveria ka përcaktuar një llogari të posaçme bankare, që administrohet nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Top Channel