Hiri i trupit të aktorit Bekim Fehmiu është hedhur mëngjesin e së dielës në Lumbardhë  të Prizrenit.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë bashkëshortja Branka Petric dhe dy djemtë e aktorit, Hedoni dhe Uliksi. Ceremonia e derdhjes së hirit është bërë ende pa lindur dielli në praninë e familjes së tij dhe rrethit të ngushtë.

Të pranishëm kanë qenë vëllezërit e aktorit, nipërit dhe mbesat nga Prishtina dhe familja nga Beogradi. Dëshira e fundit e aktorit me origjinë nga Kosova ishte që banesa e tij e fundit të ishte në qytetin e Prizrenit ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë.

Aktori kishte lindur në Sarajevë në një familje me origjinë gjakovare, por  fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Prizren. Bekim Fehmiu 74 vjeçar bëri vetëvrasje 5 ditë më parë në banesën e tij në Beograd.

Top Channel