“Si më parë”

19/06/2010 16:25

“Si më parë” është kënga më e re e kantautorit Alban Skënderaj. Një single i ri me një videoklip “ndryshe”, siç e përkufizoi vetë ai, në mbrëmjen e promovimit.

“Në radhë të parë është një fjalë që më erdhi këndshëm. Të gjithë e pyesin veten nëse gjithçka do të kthehej si më parë. Ideja është se të ardhmen mund ta ndërtosh edhe me atë: si më parë”, është shprehur Skënderaj.

“Si më parë” është e fokusuar në një histori dashurie, por sipas autorit, kjo frazë lë hapësirë për interpretime të lira për gjithkënd. Muzika është e gjinisë pop-rock, një miks mes melankolisë dhe forcës së mjaftueshme për të përcjellë mesazhet që mbart dhe me nota identifikuese të kantautorit Skënderaj.

“Muzika jam unë. Jam emancipuar shumë muzikalisht dhe jam munduar të bëj gjëra shumë të reja, ndryshe nga ç’kam bërë më parë. Por kjo këngë mbetet Albani”, theksoi Skënderaj.

Klipi i këngës është xhiruar në Gjermani nga të rinj gjermanë, që aktrojnë në ambiente mes Mynihut dhe Ausburgut, me një përqëndrim të veçantë në një teatër të ’800-ës. Sipas kantautorit, një interpretim i një shfaqjeje të veçantë me mesazhe nga më të ndryshmet, të cilat përcillen më mënyra nga më të ndryshmet.

“Si më parë” ka një version edhe në italisht, me perspektivën për t’u lançuar më pas në tregun fqinj. Ndërkohë ajo do të transmetohet në të gjitha kanalet muzikore vendase.

Top Channel