Ristani: KQZ zbaton ligjin, fjalët s’kanë vlerë

17/06/2010 21:45

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka deklaruar se institucioni i drejtuar prej tij zbaton vetëm parimet dhe nuk mund të bazohet tek fjalët e eksponentëve të subjekteve politike.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ristani ka theksuar se pretendimet e palëve politike janë plotësisht të pavlefshme para parimeve dhe ligjeve.

“Përsa kohë ligji e ka të zgjidhur situatën, pjesa tjetër ngelet në ajër. Duhet të bazohemi tek parimet sepse ndryshe nuk ecim dot përpara. Vlerë kanë ato që janë të shkruara dhe jo fjalët”, ka pohuar Ristani.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës ndaj tij, Ristani ka theksuar se KQZ e administroi në mënyrë profesionale procesin zgjedhor të 28 qershorit dhe kjo sipas tij u konstatua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

“Një vit më parë unë parashikova që zgjedhjet do të ishin më të mirat dhe e shkruar nga OSBE/ODIHR është kjo: “zgjedhjet më të mira që ka kaluar Shqipëria dhe KQZ i administroi ato me paanësi dhe profesionalitet”. Të gjitha këto janë të shkruara, të tjerat janë llafe”, është shprehur Ristani.

Sipas tij, rinumërimi i votave të një qarku mund të bëhet vetëm nëse gjatë procesit të numërimit konstatohen mosmarrëveshje dhe jo kur dy palët firmosin se procesi ka qenë plotësisht i rregullt.

“Kërkesa për rinumërim duhet të jetë e bazuar në ligj dhe në prova dhe bëhet në rast se ka mosmarrëveshje mes palëve. Nëse gjatë procesit nuk ka mosmarrëveshje, atëherë nuk mund të ketë gjykim. Ne nuk mund të fillojmë një hetim vetëm nga një pikëpamje, nuk ka ligj material pa procedurë dhe ky është një parim”, ka nënvizuar Ristani.

Kreu i KQZ ka theksuar se një palë politike që do të hetojë procesin zgjedhor apo pjesë të caktuara të tij duhet ta bëjë duke u drejtuar tek institucionet kushtetuese, fillimisht tek dikasteri i tij dhe më pas në gjykatë.

“Gjithcka bëhet me procedurë, ndiqet rruga gjyqësore. Më parë tek KQZ, pastaj tek Gjykata Kushtetuese dhe pas vendimit të saj nuk mund të bësh asgjë”, ka deklaruar Ristani, i cili ka dhënë edhe detajet e vendimeve që janë marrë në rastin e Ryzhdies.

“Në rastin e Ryzhdies ka qenë situata e tillë, që ka pasur debat për votat. Meqenëse ka pasur mosmarrëveshje, ata kanë ardhur tek KQZ dhe kanë paraqitur kërkesën e tyre. Dhe unë kam qenë pro rinumërimit. Ndërsa për rastin e Beratit, Shkodrës, Durrësit, e qarqe të tjera ka pasur një qëndrim të përbashkët se numërimi nuk ka pasur asnjë problem”, ka shtuar Ristani.

Top Channel