Këta dy njerëz kanë mbërritur në fshatin e origjinës së tyre, në Shën Mëri të Tiranës, me një qëllim të saktë. Lulëzim Koçi ka dëshirë t’i tregojë mbesës së tij 10 vjeçare, Junës, rrënjët e familjes.

Për këtë arsye, ai është përfshirë në një nga misionet e reja të përfaqësuesve të shumë familjeve në Shqipëri: ndërtimin e një peme gjenealogjike.

“Kemi ardhur këtu sot për të treguar se në këto shtëpi ka jetuar fisi Koçi”, i thotë Lulëzimi mbesës së vogël.

Ndërtimi i pemës nuk ka qenë një punë fort e thjeshtë. Për të arritur deri këtu, 60 vjeçari ka gërmuar vite me radhë në gojëdhënat e pleqësisë së fshatit si edhe në dokumente të kohës.

“E kam pasur një krenari të flasë për fisin tim. Munda që të radhis një rend me emra prej 9 brezash”, thotë Lulëzimi.

Rikrijimi i gjenezës familjare përveçse është një dëshmi shumë e mirë breznore, mbart vlera edhe për brezin e ri dhe evitimin e martesave brenda gjakut.

“Edhe botimi i këtij libri dhe shpalosja e kësaj peme i shërben këtyre njerëzve pasi ruhet gjaku dhe mosngatërresat me martesa të padëshirueshme”, shprehet Lulëzimi.

Pasi ka përfunduar punën për ndërtimin e rrënjës gjenealologjike, Lulëzimi,  ka menduar ta ndajë këtë kënaqësi edhe me të afërmit e tij. Interesimi nuk mungon dhe prezantimi që bën nismëtari i kësaj pune, merr kureshtjen e gjithsecilit.

Agim Hila është një nga personat e ftuar në mbrëmjen e prezantimit të pemës gjenealogjike të fisit Koçi. Ai vëren me kureshtje punën e bërë nga Lulëzimi dhe e cilëson si diçka të rrallë.

“Kjo punë nuk i sherben veç Kocit, por edhe gjithë popullit shqiptar”, thotë Agimi.

Dhe nuk ka sesi një punë e tillë të mos jetë surprizuese edhe për një historian i cili ndërsa merret me gjetjen e rrënjëve gjenealogjike të familjeve të mëdha, mëson se në heshtje, njerëz të thjeshtë kërkojnë rrënjët e fisit të tyre, të vogël në emër.

“Është një punë shumë fisnike. Unë e kam ndjekur me interes punën e shumë fiseve dhe mendoj së është një punë shumë e bukur”, shprehet Dritan Egro.

Por sigurisht, teksa familjet e vogla dhe të thjeshta janë në gjendje të gjejnë rrënjët e të parëve, s’ka sesi të mos ketë kërkime dhe rifreskime të vazhdueshme për pemët gjeneaologjike të familjeve më të famshme të kombit. Një punë e tillë po bëhet edhe për pemën e Kastriotëve.

“Për fatin tonë të mirë kemi pemën gjenealogjike të njerit prej pinjollëve të fisit Muzaka. Midis familjeve jepen të dhëna interesante edhe për familjen Kastrioti me të dhëna prej tre brezash”, thotë Dritan Egro.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel