Falja e të dënuarve, konsensus për ligjin

07/06/2010 19:55

Organizatat shqiptare për të drejtat e njeriut, Dhoma e Avokatëve dhe insitucioni i Avokatit të Popullit vlerësuan ndryshimet që qeveria i ka bërë ligjit për faljen.

Drejtuesit e këtyre shoqatave dhe institucioneve bënë vlerësimet e tyre për këtë ligj mbi të cilin presidenti ushtron të drejtën e faljes në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve.

Ajo që ra në sy ishte konsensusi që ekzistonte mes mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, se ligji kishte nevojë për ndryshime për të kufizuar hapësirat për abuzime me të drejtën e faljes.

Madje, deputeti socialist Pandeli Majko deklaroi se, “rreth këtij procesi kanë dalë edhe fjalë”.

Pak më herët, ai dhe deputetja tjetër socialiste, Vasilika Hysi, e angazhuar për një kohë të gjatë në shoqërinë civile me cështjen e të drejtave të njeriut, shprehën rezerva për numrin e madh të faljeve që presidenti Bamir Topi dekretoi disa javë më parë, c’ka përbënte falje për gati 1/10 e të gjithë personave që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare.

Një nga ndryshimet thelbësore të ligjit për faljen, është centralizimi i propozimit për faljen nga disa institucione dhe shoqata tek ministri i Drejtësisë.

Kjo do të thotë se ministri i Drejtësisë do të jetë personi i vetëm, i cili do të ketë të drejtën t’i propozojë presidentit listën e të dënuarve që përmbushin kriteret dhe mund të përfitojnë nga falja.

Megjithatë, ministri shpjegoi se ky ndryshim nuk cënon të drejtën kushtetuese të presidentit për të vendosur nëse do ta falë apo jo personin që ka bërë kërkesën, person i cili duhet të marrë përgjigje brenda 90 ditësh.

Top Channel