Fier, ujësjellësi vendos gjoba

06/06/2010 08:30

Drejtoria e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Fier ka nisur dy ditët e fundit një aksion të ashpër që konsiston në ndërprerjen e ujit të pijshëm për të gjithë abonentët debitorë.

Gjithashtu, pas përfundimit të faljes së afatit për kamatëvonesat  dhe pagimit të detyrimeve të prapambetura në faturat e ujit të pijshëm ka nisur aksioni i gjerë. Mbi 230 gjoba janë aplikuar vetëm gjatë dy ditëve të këtij aksioni, ndërkohë që u është ndërprerë energjia më tepër se 300 abonentëve.

Drejtuesi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Agim Plepi, është shprehur se numri i abonentëve debitorë në vite në faturat e konsumit është tepër i lartë, duke shkuar në 4500 debitorë.

“Deri tani ne kemi realizuar rreth 230 ndërprerje. Procesi vazhdon çdo ditë. Në përbërje të atyre që po marrin pjesë në aksion janë Task-Forca, përfaqësues të policisë së rendit, të policisë private. Të gjithë ata abonentë që nuk paguajnë faturat e konsumit do të gjobiten dhe do t’u ndërpritet uji. Të gjithë ata abonentë që rilidhin ujin me vendim të Këshillit të Ministrave do të gjobiten sërish dhe do të shkojnë në ndjekje penale, sipas nenit 159 të Kodit Penal. Gjoba shkon 1 milion lekë, ndërkohë që penalizimi me ndjekje penale shkon në dënimin deri në 2 vjet heqje lirie”, ka thënë drejtori Agim Plepi.

Aksioni i ujësjellësit nuk është pranuar nga banorët e lagjes “1 Maj fushë” dhe “1 Maj kodër” ku gjendet edhe numri më i lartë i debitorëve dhe i lidhjeve të paligjshme të ujit. Burime të ujësjellësit pohojnë se është ushtruar dhunë deri te drejtuesit më të lartë të shoqërisë anonime “Ujësjellës-Kanalizimeve” Fier. Dhuna ka prekur disa drejtues departamentesh, të cilët duke iu shmangur daljes publike mjaftohen duke deklaruar në linjë telefonike se aksioni do të vazhdojë.

 
 

Top Channel