Pranga drejtorit për 100 mijë dollarë

01/06/2010 20:05

Dy inspektorë të inspektoratit qendror teknik të karburanteve dhe shefi i tyre janë arrestuar nga Task Force e Tiranës si edhe departamenti i hetimit të krimit në policinë e shtetit se i kanë marrë në formë rryshfeti një biznesmeni 100 mijë dollarë.

Gjatë operacionit të koduar “Bojaxhiu”, u arrestuan, Virgjil Joti, me detyrë kryeinspektor, si edhe Luan Qato e Kastriot Llakaj, me detyrën e inspektorit.

Në momentin e arrestimit tre të pandehurit ishin duke i marrë shumën prej 20 mijë dollarësh një biznesmeni karburantesh në Tiranë, për t’i dhënë lejen e kontrollit teknik të zhdoganimit të karburantit.

“Këta shtetas janë arrestuar në flagrancë, pasi i kanë marrë një grosisti karburantesh shumën prej 20 mijë dollarësh, në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik e zhdoganimit të një anijeje me karburant. Shtetasit e sipërpërmendur për një periudhë prej 8 muajsh në vazhdimësi i kanë kërkuar këtij biznesmeni shumën 10 mijë dollarë për çdo anije të zhdoganuar, duke përfituar në mënyrë të paligjshme në total shumën prej 100 mijë dollarë”, është shprehur zëdhënësi i policisë.

Policia kreu arrestimin pasi ka përdorur përgjimet, ku ka prova të mjaftueshme që tre të arrestuarit nuk e zhdoganonin anijen me karburant pa marrë një ryshfet prej 10 mijë dollarësh.

Top Channel