Gjermania favorite e qartë, kremton fitoren e parë në gati tre dekada te Festivalit Europian të Këngës.Rrugët e Berlinit, Hamburgut e Hanoverit u ndezën nga fishekzjarret dhe argëtimet e shfrenuara, që i rezervohen zakonisht fitoreve të Kupës së Botës.

19 vjecçarja Lena Mejer Landrut i dha fund kështu humbjeve të Gjermanisë në konkursin popullor të këngës me një triumf të papritur mes 24 garuesve të tjerë. Kënga “Satellite”  ishte që përpara festivalit të Eurovision-it një hit në Gjermani.

“Jam shumë e lumtur që arritëm vendin e parë. Ju falenderoj, kjo është absolutisht një mrekulli, nuk mund të jetë reale”, “, tha Lena pas shpalljes së votave.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, Juliana Pasha, garonte me “It’s All About You”, por megjithë interpretimin e mrekullueshëm të një kënge mjaft të këndshme, nuk arriti të shënonte rezultat të kënaqshëm.

Por ndonëse arriti të marrë vetëm vendin e 16-të, Pasha, thote DË, dëshmoi me zërin e saj kumbues dhe paraqitjen e mire skenike, se Shqipëria është pjesëmarrëse e denjë për spektakle të tilla.

“Por sa i denjë ishte vetë spektakli në këtë rast. Më shume se festival, tingëlloi si karaoke”, thotë CNN.  Sa për mbështetjen që fqinjët, si vendet e ish-Jugosllavisë i japin njëri-tjetrit, kjo është kthyer gati në një rit tashmë, të cilin Milan Stankoviç, përfaqësuesi i sivjetëm i Serbisë në festival e justifikon me preferencat e ngjashme muzikore të njerëzve në këto territore.

Raportet në media tregojnë se ka patur edhe komente nga fansat që e shohin me dyshim përzgjedhjen e finalistëve. Sipas tyre kishte seleksionime të gabuara, si ne rastet e përzgjedhjes së pamerituar te një konkurenti, ashtu dhe në ato që i shohin si të skualifikimeve pa të drejtë.

Pas Gjermanisë (me 246 pikë), vendin e dyte e mori turqia me 170 pikë dhe e treta Rumania me 162 pikë. Evenimentin e transmetuar live nga Oslo e ndoqën gati 125 milionë teleshikues në të gjithë Europën.

Kostume ekstravagante, dritat dhe efektet pafund, e kthyen festivalin në një spektakël të vërtetë. Në të morën pjesë 25 vende europiane.

Spektakli ishte një nga më të kushtueshmit në historinë e kompeticioneve të Eurovizionit, televizioni publik norvegjez NRK shpenzoi plot 33 milionë dollarë për organizimin e tij.

Gjermanisë fituese të këtij edicioni, i takon automatikisht mbajtja e konkursit të radhës.

Top Channel