“Kërkojmë nga qeveria të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe ne Kosovë”. Ishte pikërisht çështja e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës me 30 maj, e cila u fut si pikë urgjente për diskutim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke ndryshuar tërësisht rrjedhën e punimeve në Kuvend.

Propozimi për të debatuar rreth cënimit të integritetit territorial që po i bëhet Kosovës nga Serbia erdhi nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Dardanisë. Ai fillimisht u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare.

Por pavarësisht kësaj, jo të gjithë deputetët ndajnë mendime të njëjta përsa i përket veprimeve që duhen ndërmarrë për ta qetësuar situatën në veri.

“Pavarësisht nga kërkesat, asnjëherë nuk do të marr një vendim të pamenduar mirë përsa i përket ligjit për sigurinë veriore”, ka deklaruar ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Debati rreth mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë zgjati tërë ditën. Në disa raste ai devijoi, duke u shndërruar në debat akuzash e kundër akuzash mes pozitës dhe opozitës.

Deputetja e AAK-së akuzoi qeverinë Thaci se me paratë e taksapaguesve po vazhdon të financojë strukturat e SHIK-ut, shërbim sekret i PDK-së.

Menjëherë pas kësaj reagoi deputeti i PDK-së Gani Koci, i cili tha se është pikërisht kreu i AAK-së, i cili është i përfshirë në aktivitete kriminale dhe jo ligjore.

Deputeti Koci përmendi emrin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj si të përfshirë direkt në kontrabandimin e karburanteve në pikat kufitare të pjesës veriore.

Koci po kështu tha se është Ramush Haradinaj ai i cili ka marrë dhuratë nje zarf me 100 mijë euro para.

Duke u kthyer sërish tek pika urgjente e rendit të ditës, mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri, disa deputetë kërkuan dorëheqjen e qeverisë për shkak të pamundësisë së menaxhimit të situatës.

Por kryeministri Thaçi nga ana e tij tha se, kur është fjala për veriun, nuk duhet të ketë ndasi politike.

“Në këtë drejtim edhe qeveria është duke punuar ngushtë me autoritetet rilevante ndërkombëtare në Kosovë për të ecur drejt zgjidhjes së problemeve edhe në veri”, ka pohuar Thaci.

Gjithësesi, seanca përfundoi para orës 18:00 me një qëndrim të përbashkët të grupeve parlamentare.

Kuvendi i Kosovës kërkon nga qeveria që në harmonizim me institucionet ndërkombëtare të ndërmarrë veprime që ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe gjithashtu të ndalohet hyrja e personave të paautorizuar në territorin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA