OKB, paraqitet paketa me sanksionet ndaj Iranit

19/05/2010 03:10

U paraqit para OKB-së paketa e re me sanksione kundër Iranit për programin e tij bërthamor, paketë kjo e cila përben edhe raundin e katërt të sanksioneve ndaj Repblikës Islamike.

Në dosjen dorëzuar Këshillit të Sigurimit në OKB, parashikohen sanksione të reja më të forta kundrejt Iranit në fushën e shit-blerjes së armëve, shtim të kontrolleve të tregtarëve dhe kompanive tregtare iraniane në porte e aeroporte si dhe aktivitet të kufizuar për bankat iraniane që operojnë jashtë Iranit.

Në paketën e re, hartuar prej SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë u kërkohet vendeve të OKB-së të tregohen të kujdesshëm ndaj aktivitetit bankar të Pasdaran (Gardës Revolucionare Iraniane), ku përfshihet edhe banka qendrore.

Dokumenti mbyllet duke ritheksuar edhe njëherë “shqetësimin e madh” të ndërkombëtarëve për vendimin e Teheranit për të vazhduar pasurimin e uraniumit në masën e 20 përqindëshit.

Paketa, pas shqyrtimit prej Këshillit të Sigurimit do të kalojë për miratim në gjysmën e parë të muajit qershor.

Top Channel