Në front me kondom

19/05/2010 04:00

Kryerja e marrëdhënieve seksuale mes ushtarëve gjatë misioneve ndërkombëtare nuk është e lejueshme, por zbatimi në praktikë i këtij rregulli mbetet mjaft i vështirë. Kjo është arsyeja pse misionet e shumë ushtarakeve angleze përfundojnë parakohe.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes britanike, të dhënat për ushtaraket femra të cilat duhet të braktisin misionet në Irak dhe Afganistan për shkak të shtatzënisë janë gjithmonë e në rritje. Pikërisht për këtë arsye ky dikaster ka ndërmarrë një fushatë publicitare ku kërkohet më shumë kujdes me raportet seksuale në front.

“Raporti femër-mashkull i trupave britanike në mision është 1-50 dhe në këto kushte për një femër është mjaft e vështirë të shmanget një natë seks në front”, thuhet në fushatën publicitare botuar në revistën ushtarake, “Soldier”.

Në fakt çështja nuk është e lidhur aq shumë me moralin se sa me faturën financiare që i kushton qeverisë britanike. Për drejtuesit e mbrojtjes britanike janë kostot e kthimit të ushtarakeve të mbëtura shtatzëna ato që i shqetësojnë më shumë, pasi sipas ligjit në momentin që një femër ushtarake mësohet se ka mbetur shtatzënë në front, ajo riatdhesohet menjëherë. I njëjti rregull vlen edhe për civilët të cilët punojnë në ushtri.

Sipas britanikes “Mail on Sunday” numri total i femrave të riatdhesuara pasi kanë mbetur shtatzënë në Irak e Afganistan nga janari i 2003-it deri në shkurt të 2009-ës është 140.

Top Channel