Obama, panel hetimor për Gjirin e Meksikës

18/05/2010 11:25

Presidenti amerikan Barack Obama do të ngrejë një komision për të hetuar derdhjen e naftës në Gjirin e Meksikës.

Burime pranë Shtëpisë së Bardhë deklaruan se paneli do të ekzaminojë gjithashtu praktikën e industrisë dhe rolin e qeverisë në katastrofën ekologjike.

Lajmi për ngritjen e komisionit vjen pasi një zyrtar i lartë i Rojës Bregdetare amerikane paralajmëroi se njolla gjigande e naftës mund të arrijë brigjet jugore të Floridës.

Ndërkohë, kompania “British Petroleum” ka deklaruar se do të hedhë sasi të mëdha balte në pjesët e dëmtuara të platformës së naftës, në përpjekje për të bllokuar rrjedhjen.

Nafta është përhapur në Gjirin e Meksikës që prej 20 prillit, kur platforma e menaxhuar nga “BP” shpërtheu.

Kompania britanike deklaroi ditën e djeshme se po mbledh rreth 1 mijë fuci nafte në ditë nga sasia e derdhur në oqean.

Top Channel