Mot fantastik. Det i qetë. Diell me bollëk. Është tamam trinomi i duhur për një ditë aventurash në det. Është fundjavë në vijën bregdetare të Durrësit. Bregu sapo ka mbetur pas dhe peshkarexha KANUD po përgatitet për një ekspeditë të re.

Djemtë kanë zënë vendet e tyre. Varka me të cilin vozisim lëkundet majtas-djathtas. Të gjithë mezi po presin të mbërrijnë në destinacionin e tyre të preferuar.

Sot jemi këtu për të ushtruar një sport ujor, le të themi pa ndonjë përhapje masive në rrethet sportive. Do gjuajmë peshk, por jo me grep, as me rrjeta, me dinamit jo e jo, por me pushkë duke u zhytur nën ujë.

Rrethi sportiv ku këta burra aderojnë është Klubi i Aktiviteteve Nënujore Durrës. Habitati ujor ku ata do të zhyten pas pak është gati. Çasti i shumëpritur ka mbërritur dhe gjithçka është gati për peshkim.

Këta topa që pluskojnë mbi ujë tregojnë vendndodhjen e gjithseclit.

Minutat ikin me shpejtësi. Pa u ndjere po mbushen një orë që nga koha kur grupi është zhytur në kërkim të gjahut ujor.

Ja ku duket edhe topi i parë që afrohet pranë varkës. Është udhëheqësi i grupit. Thoma Berberi është veteran i peshkimit nënujor. Ai e mbyll këtu peshkimin për sot, ndërsa pas tij afrohen edhe pjesa e tjetër e grupit.

“KANUD eshte krijuar me 1993, ishte pasioni për detin ai që na shtyu
Jemi shumë të kënaqur me peshkimin e parë. Për ne nuk ka rëndësi peshkimi, por më shumë është kënaqësia që provojmë”, është shprehur Thomai.

Më shumë se ushtrues të rregullt disipline sportive, djemtë e klubit nënujor e cilësojnë aktivitetin e tyre si ekologjik. Sot duket se gjuetia nuk ka vajtur mbarë, por pak rëndësi ka.

“Peshkimi nënujor nuk njeh kufi moshe, seksi, pasi me kalimin e kohës fitohen disa reflekse. Peshkimi nënujor është diçka e veçantë dhe ne jemi kundër dinamitit. Ne jemi një shoqatë ekologjike sportive. Përgjithësisht ne peshkojmë në zonën e Kallnurit. Stina më e mirë është vjeshta. Që të bësh një zhytje të mirë duhet edhe detin pastër”, thotë Thomai.

Deti për këta njerëz është gjithçka. Peshkimi nënujor nuk është sporti i vetëm që ushtrojnë pjesëmarrësit e klubit nënujor. Arkeologjia ujore është një tjetër afeksion.

“Ne jami aq të apasionuar pas detit sa vimë dhe e shohim edhe kur është keq. Kemi parë edhe anijet e vjetra. Të humbura. Qypa, mure”, tregon Arbeni.

Bashkë me veteranët e peshkimit nënujor, anëtarë të klubit janë edhe djem të rinj në moshë, por jo të tillë në praktikën nënujore. Eraldi është një nga anëtarët më të apasionuar pas këtij sporti.

Vitet kur kam filluar të zhytem lidhen me fëmijërinë time. Ka qënë babai im ai që më mori fillimisht në det. Eksperiencat e para ishin traumatike e bukura e detit është se sa herë futesh zbulon diçka të re. Nuk mund të thuash se ka dy zhytje njësoj. Nuk është se e di se ça është deti. Deti është akoma i pazbuluar dhe mund të them se është pjesë e pandarë e historisë”, thotë Eraldi.

Ashtu si në çdo pjesë tjetër të margjinalizuar të jetës sonë të përditshme, edhe deti me gjithë kënaqësinë që na dhuron, vuan pasojat e dorës shkatërrimtare të njeriut. Në fund të këtij takimi nënujor, Eraldi gjen momentin për të lëshuar një apel.

“Ajo qe na vjen keq është gjuajtja me dinamit, e cila ka vrarë gjithë faunën detare. Apeli është të ndalet kjo dorë”, thotë Eraldi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel