Berisha: Kutitë mund të hapen

20/04/2010 01:15

Pa u mbushur 24 orë nga kthimi i vonuar në Shqipëri, për shkak të anulimit të fluturimeve nga reja vullkanike, kryeministri Sali Berisha ka dalë para medias me një informacion të detajuar për takimet e 5 ditëve më parë në Bruksel. (UPDATE)

Ai dorëzoi në Komisionin Europian 2283 përgjigjet e pyetësorit, prej të cilave Shqipëria do të vlerësohet, nëse do të marrë apo jo statusin e vendit kandidat.

Për të përkufizuar ecurinë e këtij proçesi, kryeministri Berisha e paralelizoi atë me udhëtimin e kthimit prej 2500 kilometrash për në Tiranë.

“Ky udhetim ishte siamez me udhetimin e shqiptarëve drejt Europës, i lodhshëm me sakrifica, jo pa dhimbje, por i suksesshëm dhe i sigurtë”, tha Berisha.

Por pengesa më e dukshme për Shqipërinë në marrjen e një përgjigjeje pozitive për statusin e vendit kandidat është ngerçi politik dhe mosmarrëveshjet e qeverisë me opozitën për zgjedhjet. Gjë që siç pohoi kryeministri Berisha ka qënë temë bisede në të gjtha takimet e tij në Bruksel.

Sipas kryeministrit Berisha ai ka rënë dakort me zyrtarët më të lartë të Brukselit për çuarjen përpara të dialogut me opozitën për të gjetur hapësirat e bashkëpunimit për transparencën e zgjedhjeve, siç tha kryeministri Berisha, brenda Kushtetutës.

“Hapësira është e plotë, e gjërë dhe totale. Në rast se opozita është e interesuar që të bëjë transparencën, insitucionet demokratike të këtij vendi, kushtetuta, shteti ligjor, kanë të gjitha proçedurat e përcaktuara, jo vetëm për të hapur kutitë e votimit, por edhe kasafortat më sekrete të këtij shteti”, deklaroi kreu i kabinetit.

Kryeministri Berisha i dha përgjigje edhe apelit drejtuar shqiptarëve të kreut të opozitës Edi Rama për t’u bashkuar në protesta për rrëzimin e qeverisë, që mund të çojnë, siç thotë zoti Rama, deri në mosbindje civile.

“Të recitosh Fan Nolin me slogane të Haxhi Qamilit, është zgjedhje mjerane. E rëndësishme është që opozita të ketë të gjitha hapësirat për protestë, por në një shtet ligjor, mosbinjda civile merr përgjigje ligjore”, tha me kryeministri Berisha.

Duke informuar se gjatë qendrimit në Vjenë ai është takuar me ish-kreun e Partisë Socialiste, Fatos Nano, kryeministri Berisha hodhi poshtë si spekulime të medias komentet për një marrëveshje 20 vjeçare mes tij dhe zotit Nano.

Kryeminstri Berisha u tregua i kujdesshëm të vlerësojë kontributin e zotit Nano për integrimin europian dhe atë të zotit Rama për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Duke takuar Nanon, kam treguar respekt për të majtën shqiptare në kontributet për integrimin e vendit. Nëse theksova se zoti Nano është lideri historik i të majtës, kjo është e vërtetë, aq sa është e vërtetë se zoti Rama është kryetari i PS-së. Unë këto nuk i konfondoj”, sqaroi kreu i maxhorancës.

Kryeministri Berisha nuk i dha përgjigje direkte pyetjes, nëse me afrimin e zgjedhjes së presidentit, ai po përpiqej të afronte zotin Nano, duke e larguar atë nga PS-ja. Ai e kaloi atë me një batutë, të ngjashme me atë kur u pyet, nëse me ndryshimin e programit, duke përfshirë ish-të persekutuarit dhe ish-pronarët, zoti Rama po tentonte te merrte elektoratin e qendrës së djathtë.

“Zoti Rama mund të më marrë mua ndonjë anëtar apo ish-anëtar, por kjo nuk është një gjë kaq anormale. Edhe Rama vetë mund të kishte qënë anëtar i PD-së, se unë nuk kam qënë kundër dhe ai e di këtë”, tha Berisha.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Berisha u shpreh i sigurtë për mbajtjen e premtimit se vendimi për heqjen e vizave do të merret brenda këtij viti.

Top Channel