Kreu i doganave grindet me biznesin

31/03/2010 08:20

I konceptuar si një takim normal tradite që Dhoma Amerikane e Tregtisë kryen me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, rreth problemeve të ndryshme, ka degjeneruar me akuza dhe tension të lartë mes palëve.

Gazeta “Shqip” mëson detaje të takimit të zhvilluar dje pa praninë e medias, me kërkesë të drejtorit të Doganave, i cili në debat e sipër ka akuzuar bizneset anëtare të Dhomës Amerikane se kryejnë evazion fiskal.

Thelbi i takimit, ndër të tjera ishte dhe çështja e referencave doganore, që për biznesin është shumë shqetësuese masa e aplikimit vend e pa vend. Në takim kanë marrë pjesë drejtuesit më të lartë të Dhomës Amerikane, me rreth 30 biznese dhe ekspertë të fushës, si dhe krerët e doganave.

Burime nga takimi pranojnë se biseda me kreun e Doganave, Endri Pema rezultoi e vështirë dhe pa rezultat, ku ndryshe nga sa pritej, situata doli jashtë kontrolli. Përdorimi i referencave doganore edhe te produktet që shoqërohen me faturë të rregullt, përbën shqetësim kryesor për biznesin, i cili kërkonte ta trajtonte me drejtuesit e doganës.

Gjatë bisedës drejtori Pema pranoi hapur se do të përdorte çmim reference mbi artikullin për aq kohë sa biznesi kryen evazion fiskal. Duke u shfajësuar, kreu i Doganës tha se nuk ishte problemi i tij, por i biznesit që përpiqet të jetë informal me taksat, dhe se referenca do t’i përgjigjet në çdo kohë evazionit.

Bindja e Pemës arriti deri aty se vuri bast me bizneset, duke thënë se qëndrimet e tij rreth avionit vërtetohen kollaj falë një kontrolli blic që mund të kryejë në çdo kohë. Mësohet se disa biznese kanë dalë vullnetarë për t’u kontrolluar nga dogana, për përgjigja drejtorit të përgjithshëm ishte se zgjedhjen do ta bënte vet ai, se cilin subjekt do kontrollonte.

Takimi zgjati për rreth dy orë, dhe ku pjesën më të madhe e zuri drejtori i Doganës, i cili shpjegoi gjerë e gjatë procedurën që ndiqet në përdorimin e referencave doganore. Por përtej rregullit ligjor, bizneset kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje më praktike, pa iu referuar rasteve konkrete.

Pothuajse çdo ankesë e biznesit mbi përdorimin nga dogana e çmimeve të referencës është  hedhur poshtë nga drejtori Pema, i cili për çdo rast ka kërkuar ndjekjen e ankesës përmes rrugës ligjore. Por biznesi kërkoi përgjigje konkrete të rasteve në fjalë dhe jo shpjegimin e rrugëve burokratike.

Edhe pse ekspertja e financave, Adriana Berberi i ka shpjeguar drejtorit të Doganës se Dhoma Amerikane nuk synonte zgjidhjen e problemeve individuale që mund të kishin bizneset në takim, sërish nuk pati mirëkuptim nga autoritetet e fiskut.

Përdorimi i referencave doganore është mjeti ligjor që përdor qeveria për të rritur të ardhurat në buxhet. Edhe pse biznesi që sjell produkte të certifikuara nga BE-ja, mund ta vërtetojë vlerën e saktë përmes faturës, në plot raste dogana aplikon referencë, një lloj çmimi tjetër, që shkon edhe në dyfish të vlerës. Me ngarkesën e tepërt që vendos dogana, biznesi është i detyruar të paguajë më shumë taksa, e për rrjedhojë të rrisë çmimin në treg.  

Top Channel