“SHISH”, telefonata e Rasmussen që “theu” Berishën

31/03/2010 15:05

Dy javë më parë mazhoranca tërhiqej nga qëndrimi i saj për të kaluar në Parlament projektligjin e shumëdebatuar të SHISH-it.

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani pranoi se projektligji do të rishikohej me asistencën edhe të misionit të Bashkimit Europian për Drejtësinë, Euralius. Asokohe u mendua se në këtë vendim kishte luajtur rol presioni i faktorit ndërkombëtar. Shqetësimet për projektligjin kishin ardhur fillimisht nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Fill një ditë më pas kishte lëshuar një deklaratë edhe ambasadori i delegacionit të Komisionit europian Helmut Lohan.

Por projektligji ishte kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe ambasadori Withers kishte dalë në një konferencë për shtyp. Po ashtu Top Channel kishte bërë publik faktin e mbërritjes së një letre nga NOS-i, Zyra e Inteligjencës e NATO-s. Përballë mohimit të eksponentëve të mazhorancës për ekzistencën e nje letre të tillë, përmbajtja e letrës ishte konfirmuar zyrtarisht nga një zëdhënes i ambasadës amerikane.

E megjithatë, projektligji kishte kaluar në komisonin e Sigurisë Kombëtare, si komisioni parlamentar përgjegjës për SHISH-in. Pas dy ditë diskutimesh, kryetari i komisionit, Leonard Demi doli përpara gazetarëve dhe konfirmoi se projekti do t’i kalonte seancës plenare. Një ditë më pas, kundërshtimet e faktorit ndërkombëtar u përsëritën edhe në këtë tryezë të organizuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Atë ditë, mazhoranca u tërhoq.

Top Channel ka mësuar se përvec ndërhyrjeve të përsëritura të faktorit ndërkombëtar, një rol kryesor, per te mos thene vendimtar në këtë vendim ka pasur një telefonatë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen me kryeministrin Berisha. Sekretari i NATO-s i ka kujtuar kryeministrit shqiptar në këtë bisedë detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Thelbi i bisedës ka qenë se kur Aleanca ka një shqetësim të kësaj natyre, Shqipëria nuk mund ta injorojë atë dhe të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e nisur. Menjehere pas kesaj telefonate ligji u terhoq dhe mazhoranca pranoi se do ta konsultonte me partneret e NATO-s. Ndaj sot projektligji gjendet në sirtarët e Ministrisë së drejtësisë, deri në një moment tjetër, kur të marrë edhe mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Top Channel