Sheshi, si devijon trafiku

29/03/2010 19:45

Fillimi i punimeve për sheshin “Skëndërbej” do të shoqerohet me ridimensionim të trafikut në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës ka përgatitur një hartë të ndryshimit të qarkullimit rrugor, për cdo fazë punimesh, në mënyrë që të lehtësojë sa më shumë lëvizjen e makinave, që do të ndikohet prej bllokimit të sheshit.

“Momenti i parë i bllokimit do jetë sheshi para Pallatit të Kulturës dhe rrugët pas tij do të jenë akset që do të shfrytëzohen për kalimin e rrjedhës së trafikut. Në vijimësi, duke parë infrastrukturën rrugore, do të shohim edhe zgjidhje alternative”, ka deklaruar Enton Punavia, drejtor i transporteve.

Drejtori i transporteve ka cilësuar se është shumë e rëndësishme që të vijohet puna me shpronësimin e objekteve publike sic është Insig, pasi përfundimi i unazës së vogël do të ndihmonte në vijimin e një qarkullimi normal të automjeteve.

Por për këtë duhet të vendosë qeveria, e cila jo më larg se të dielën kërcënoi me bllokimin e punimeve në shesh për shkak se projekti ka patur devijacione dhe nuk ka kaluar për miratim në KRRTRSH.

Një ditë më pas, ky pretendim i Ministrisë së Transporteve është kundërshtuar nga bashkia e Tiranës, që argumenton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese numër 29, më datë 21.12.2006, ka përcaktuar si të papajtueshëm me Kushtetutën, dispozitën e Ligjit të Urbanistikës që i jepte kompetencë KRRTRSH-së për objekte të tilla si sheshi “Skëndërbej”.

“Lejet e ndërtimit për objekte të rëndësishme në qendrat e qyteteve, studimet urbanistike të të cilave miratohen prej tij”.

Me këtë argument bashkia shprehet se kjo kompetencë e KRRTRSH-së është shfuqizuar, ndërkohë që ligji aktual i urbanistikës nuk është shkelur, pasi në këtë ligj është përcaktuar se KRRTRSH miraton lejet për sheshet mbi 0.5 hektarë, por kur ato janë jashtë vijave kufizuese të qyteteve.

Top Channel