Remitancat, më të ulëtat që nga viti 2005

18/03/2010 08:40

Të ardhurat valutore nga puna e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit ranë në 799 milionë euro në vitin 2009, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2005.

Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e Llogarisë Korrente që u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë.

Në total, emigrantët sollën në atdhe 54 milionë euro më pak se në 2008 dhe 173 milionë euro më pak se më 2007-n.

Shkaku kryesor i rënies së të ardhurave nga emigracioni është rritja e papunësisë në vendet europiane, veçanërisht Itali e Greqi, ku jetojnë shumica dërrmuese e emigrantëve.

Problemi më i madh është se tendenca e përgjithshme mbetet negative. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, të ardhurat nga emigracioni u ulën me vetëm 4.4 për qind, ndërsa në tremujorin e katërt, rënia ishte 7.3 për qind në krahasim me një vit më parë.

Të dhëna indirekte tregojnë se tendenca negative ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ku acarimi i krizës financiare në Greqi ka mbyllur shumë vende pune për emigrantët apo ka sjellë rënie të përgjithshme të pagave.

Sipas të dhënave të një sondazhi të kryer nga Qendra Kërkimore Monitor, një numër i konsiderueshëm emigrantësh u kthyen nga Greqia për pushime në dhjetor dhe nuk u larguan më për shkak të mungesës së vendeve të punës në fqinjin tonë jugor.  

Rënie natyrore

Që nga viti 2001, në qarqet e ekonomistëve u diskutua gjerësisht për “ciklin e remitancave”, një teori që arsyeton se pas dekadës së dytë të emigracionit masiv, të ardhurat nga emigrantët vijnë në ulje, për shkak se lidhjet e tyre me atdheun dobësohen ndërsa emigrantët themelojnë familje e jetesë në vend të huaj.

Por në rastin e Shqipërisë, remitancat vijuan të rriten deri në vitin 2007, kur shënuan maksimumin në 952 milionë euro. Rritja e remitancave tregon se emigrimi i shqiptarëve vijoi edhe në dekadën e dytë të tranzicionit.

Sipas studimeve të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga puna jashtë vendit kanë shërbyer për lehtësimin dhe eliminimin e varfërisë në zonat e thella të vendit, ndërsa këto para i kanë shërbyer vendit për të akumuluar fuqi investuese.  

Pasojat

Rënia e remitancave sjell detyrimisht rritje të varfërisë në Shqipëri dhe rënie të konsumit. Kjo e fundit sjell edhe rënie të importeve e të të ardhurave të buxhetit të shtetit, i cili arkëton 70 për qind të të ardhurave totale, duke taksuar importet.

Sipas të dhënave të doganave, volumi i importeve ka rënë ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti, gjë që ka sjellë mosrritjen e të ardhurave fiskale të qeverisë.

Nëse importet nuk rikthehen te rritja e fuqishme, qeveria mund të hyjë në vështirësi të mëdha financiare. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare mund të realizojë një deficit buxhetor prej 5.6 përqindësh të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, shifër kjo shumë më e lartë se deficiti i premtuar prej 3 përqindësh.

Rrjedhimisht stoku i borxhit publik mund të vijojë rritjen më 2010-n, ndërsa presioni do të shtohet mbi monedhën kombëtare, lekun. Në këtë pikë, fati i Shqipërisë në vitet në vijim varet nga sasia e remitancave që do të sjellin emigrantët në atdhe.

Top Channel