Londra, qyteti më i sigurtë për gratë

16/10/2017 06:56

Qyteti më i sigurtë i botës për gratë është Londra, ndërsa më i rrezikshmi Kajro.

Sondazhi i parë i realizuar nga ekspertë ndërkombëtarë, mbi qytetet më të përshtatshme për femrat, tregon se në rrugët e kryeqendrës së Britanisë, një vajzë ose grua nuk do të ketë problemet që mund të ndeshte në Kajro, Karachi apo Kinshasa, të rreshtuara në fundin e listës së fondacionit “Thomson Reuters”, ideatori i anketimit.

Studiues të çështjeve të grave në 19 qytete të mëdha, secili shtëpi e mbi 10 milionë banorëve, u përpoqën të shikonin sesa ishin të mbrojtura femrat nga dhuna seksuale apo praktikat e dëmshme kulturore, e nëse kishin qasje të kënaqshme te sistemi shëndetësor, ai financiar dhe arsimimi.

Londra rezulton më pozitivja në këtë drejtim, e pasuar nga Tokio dhe Parisi.

“Ashtu si me kujdesin shëndetësor, këtu mundësitë që ofrohen janë të shumta. Mund të bësh plot gjëra, ke mjaft liri si grua. Sa për sigurinë, këtu ndihem shumë më e sigurtë. Mund të dalësh vetëm natën pa pasur frikë”, tha Kayleigh Ëeedon, banore e Londrës me origjinë nga Afrika e Jugut.

Por panorama është krejt ndryshe në Kajro, ku traditat e vjetra qindravjeçare nuk i lënë vajzat të zhvillohen.

“Këtu është shumë keq. Të duket sikur nuk je qenie njerëzore, sikur je diçka e çuditshme. Ecën në rrugë e dëgjon lloj-lloj komentesh, që nuk janë për veshët e tu, dhe ti nuk arrin ta kuptosh përse duhet të jetë kështu”, tha Madeh Lofty, banore e Kajros.

Duke pasur parasysh historikun e tij me dhunën ndaj femrave, nuk është çudi që te renditja ku matej kërcënimi i abuzimeve seksuale, Neë Delhi ishte në fund të listës, e në krah të tij vjen Sao Paulo i Brazilit.

Top Channel