Hidhet shorti i Kategorisë së Parë. Tirana e Dinamo synojnë Superioren

16/08/2017 00:00

Në vitin e 97 të historisë së saj, skuadra e Tiranës do të luajë në Kategorinë e Parë, për herë të parë në histori. Bardheblutë kanë mësuar edhe kalendarin sesi do të përballen në grupin B, ku ata bëjnë pjesë, në 3 fazat e Kategorisë së Parë.

Një grup ku do të shmanget derbi me Dinamon, në grupin A të Kategorisë së Parë, por nuk mungojnë skuadrat e tjera konkurruese dhe me më shumë eksperiencë në këtë kategori inferiore sesa bardheblutë, që do t’ia vështirësojnë jo pak kampionatin.

“Shorti ishte i vështirë, duke qenë se ka skuadra të forta edhe në këtë kategori, që mund të na pengojnë në synimin tonë për t’u rikthyer menjëherë në Superiore. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me skuadrën, me largimin dhe afrimin e lojtarëve, por gjithçka do të jetë gati”, tha Gerti Dajçi, drejtor i klubit Tirana.

Me të njëjtin objektiv për t’u rikthyer në Superiore do të rifillojë këtë sezon 2017-2018 edhe Dinamo, e cila pavarësisht dëshirës të saj dhe të sportdashësve për të qenë sërish në elitën e futbollit shqiptar, mundësitë duken modeste.

“Do të preferoja të kishim edhe Tiranën në grupin tonë për të luajtur një derbi, sepse derbi është gjithmonë një ndeshje e bukur. Megjithatë do të përpiqemi maksimalisht për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Për momentin kemi lojtarë të rinj, por do të bëjmë sërish merkato”, tha Igli Allmuça, trajner i klubit Dinamo.

Ndeshjet e Kategorisë së Parë fillojnë më 16 shtator, një javë pas fillimit të Superiores. Në të marrin pjesë 20 skuadra të ndara në dy grupe, A dhe B, ku fituesja e secilit grup ngjitet në Kategorinë Superiore.

Top Channel