Fiorentina afron tre futbollistë para përballjes me Interin

16/08/2017 00:00

Fiorentina është përballur me një sërë largimesh të futbollistëve me peshë, gajtë kësaj merkatoje verore, duke filluar me kapitenin Borja Valero, Vecino, Bernardeschi, Iliçiç, apo Kaliniç, i cili pritet të zyrtarizohet te Milani brenda javës së ardhshme.

Për këtë arsye drejtuesit e klubit vjollcë po nxitojnë për të plotësuar vendet e lëna bosh në organikën e ekipit.

Gjatë ditës së sotme, Fiorentinës i është bashkuar Giovanni Simeone, djali i Diego Simeones, sulmues 22 vjeçar, i cili gjatë sezonit të kaluar u aktivizua te Genoa, ku shënoi 12 gola në 35 takime.

Krahas argjentinasit, Fiorentinës iu bashkua edhe mbrojtësi Cristiano Biraghi, i ardhur nga Pescara, ndërsa është arritur marrëveshja edhe me qendërmbrojtësin e Betis, Pezzella.

Ky i fundit pritet të vijë në Firence sipas formulës, huazim me detyrim blerje për shumën e 10 milionë eurove.

Fiorentina do të luajë më datë 20 gusht, ndeshjen e parë të këtij sezoni në San Siro, ndaj Interit, ku do të gjejë si kundërshtarë edhe dy ish mesfushorët e saj Vecino dhe Borja Valero.

Top Channel