Milan-Shkëndija, 15 mijë bileta të shitura në dy ditë

11/08/2017 00:00

Pas më shumë se 65 mijë të pranishmëve në ndeshjen e një raundi më parë parë kundër Universitatea Craiova, në takimin e kthimit të turit të tretë kualifikues të Europa League, Milani synon sërish të ketë një stadium të mbushur edhe përballë Shkëndijës së Tetovës.

Ndeshja është e vlefshme për fazën e “play off”-eve, që të siguron biletën për hyrjen në fazën e grupeve të trofeut të dytë më të rëndësishëm europian të futbollit.

Vetëm pas dy ditë shitjesh, kuqezinjtë raportojnë më shumë se 15 mijë bileta të blera. Milan-Shkëndija do të luhet të enjten e ardhshme, që përkon edhe mesgushtin e shenjtë të italianëve.

Në kulmin e vapës mbytëse që ka përfshirë të gjithë Europën, milanistët janë të etur për ta parë në fushë skuadrën e tyre për sezonin e ri. Sigurisht që numri i arritur në ndeshjen ndaj Craiovës është i vështirë të përsëritet, por drejtuesit e klubit duken optimistë.

Ndërkohë, Milani raporton se 14 mijë tifozë kanë rinovuar abonetë e tyre sezonale, vetëm gjatë fazës kualifikuese të Europa League.

Top Channel