Superiorja, Partizani e Skënderbeu me përforcime të bujshme

10/08/2017 00:00

Klubet e futbollit shqiptar vazhdojnë të jenë aktive në 3 javët e fundit të mbetura nga merkatoja verore, me pretendentët për titullin në garë për të rrëmbyer elementët më cilësorë, nga çfarë i premton ana financiare.

Kështu, Partizani finalizoi një goditje cilësore falë ndikimit të Luciano Moggit dhe drejtorit të ri sportiv, Antonello Preiti.

Te “demat e kuq” do të luajë këtë sezon mesfushori panamez Erik Herrera, një futbollist teknik që ka spikatur në ligat italiane, por tani do të provojë një aventurë të re në vendin e shqiponjave.

25-vjeçari nën kontratë me Leccen i kaloi dy sezonet e fundit në huazim te Melfi dhe Paganese, por me këtë të fundit pati një formë totalisht negative dhe asnjë gol. Mbetet për t’u parë nëse te Partizani do të justifikojë milionat e kontratës.

Te Skënderbeu ka firmosur sulmuesi kosovar, Shend Kelmendi, një i ri premtues që provon për herë të parë Kategorinë Superiore. Futbollisti që u aktivizua sezonin e fundit me Prishtinën kalon për 3 sezone te “ujqërit e dëborës” dhe shton konkurrencën në repartin sulmues.

Ndërkohë, te Kukësi vazhdojnë problemet me mesfushorin Izair Emini, që nuk ka ndërmend të shkëputet nga faza përgatitore me Shkëndijen, ndërsa është zgjidhur ai me portierin Enea Koliçi. Pogradecari ka gjetur akordin me klubin kuksian për rinovimin e kontratës, gjë që pritet të bëhet mëngjesin e së premtes.

Top Channel