Riyad Mahrez, i “burgosur” në Leicester

10/08/2017 00:00

Duket se 35 milionë euro për Riyad Mahrez nuk janë të mjaftueshme dhe nëse klubet e interesuara nuk do të ngrenë ofertat, mesfushori ofensiv do të mbetet te Leicester City përkundër dëshirës së tij.

Futbollisti, i cili kontribuoi në sezonin spektakolar të “Foxes” në vitin 2016 mund të quhet një i “burgosur” në skuadrën e Premier League, pasi edhe pse kërkon të largohet, nuk po mundet dot ta bëjë këtë.

Menaxheri i Leicester City, Craig Shekspeare ka insistuar se Riyad Mahrez do të largohet vetëm për një shifër të arsyeshme, por nuk pranoi të specifikonte çekun që duhet për të lëvizur algjerianin. Roma ka bërë hapa konkretë për të blerë lojtarin afrikan, por 35 milionët e ofruar nuk u konsideruan për ish-futbollistin më të mirë të Premier League.

“Merkatoja e transferimeve mund të kthehet në një problem nëse nis të largosh elementët dhe ne nuk duam të jemi një klub që shet. Mahrez ka qenë i fokusuar dhe nuk ka shkaktuar probleme, por ne do ta shesim vetëm për një ofertë të arsyeshme. Në të kundërt, do qëndrojë te Leicester”, tha trajneri Shekspeare.

E premtja do ta gjejë ekipin e “Dhelprave” përballë Arsenalit në premierën e kampionatit, një transfertë në “Emirates Stadium” që karakterizohet nga kriza e dëmtimeve. Danny Drinkwater dhe Vicente Iborra nuk do të luajnë, ndërsa Iheanacho është në dyshim.

Top Channel