Arkitekti i merkatos së Milanit: S’kam kuptuar çfarë ka ndodhur

21/07/2017 00:00

Kanë kaluar 100 ditë qëkur mori detyrën e Drejtorit Sportiv të Milanit dhe ditët e para kanë qënë të stërngarkuara për të, aq sa edhe vetë thotë se “nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur deri më tani”.

Massimiliano Mirabelli foli për Corriere Dello Sport për merkaton e “Kuqezinjve”, që në pak javë kanë afruar lojtarë si kurrë më parë.

“Mbretër të merkatos? Nuk më pëlqen ky term, sepse ne nuk e kemi përfunduar ende punën tonë. Jemi ende një kantier i hapur, që nuk do të mbyllet as më 1 shtator kur të mbyllet merkatoja. Ne duam t’i japim më të mirët trajnerit Montella, që është një trajner i madh, por as ai nuk e ka shkopin magjik”, thotë ai.

Që Milani nuk i ka mbyllur ende “hesapet” me merkaton, kjo është bërë e ditur edhe më herët nga drejtuesit teknikë dhe vetë padronët kinezë të klubit, që synojnë ringritjen e skuadër në majat e futbollit italian dhe atij europian. Por kush është qershia mbi tortë? Belotti, Aubameyang apo Kaliniç?

“Kemi vendosur shumë qershi në tortën tonë deri më tani. Është e vërtetë që kërkojmë një sulmues. Jemi të interesuar për të tre emrat. Sa i takon Belottit, kërkesa për 100 milionë euro është shumë e lartë, megjithëse ne kemi bërë ofertën më të lartë që Milani ka bërë ndonjëherë në historinë e tij të merkatos”, thotë ai.

Sipas Mirabellit, Milani është duke kërkuar lojtarë të mëdhenj dhe Belotti bën pjesë tek ata lojtarë të mëdhenj të së tashmes dhe me perspektivën për t’u bërë akoma më të mëdhenj në të ardhmen.

Janë 9 lojtarë të rinj të afruar deri më tani dhe kalimi më i bujshëm konsiderohet ai i Leonardo Bonuccit nga Juventusi tek Milani. Mirabelli tregon prapaskenat.

“Ishte fat! Po diskutonim me Luccin (agjentin e Bonuccit) për Bertolaccin, kur mësova se Bonucci mund të ndërronte skuadër. M’u ndez një llampë. Në fillim m’u duk provokim, i paarritshëm dhe vura në dijeni Montellan dhe Fassonen. Montella këmbënguli dhe e provuam gjithë së bashku. Leo më tha se nëse do të ndryshonte skuadër donte që të vazhdonte të ishte protagonist dhe Leo nuk është i vetmi lojtar i rëndësishëm që u tërhoq nga projekti ynë”, rrëfen ai.

Top Channel