Schick dhe Vecino, drejt Milanos zikaltër

20/07/2017 00:00

Inter duket se ka arritur akordin për afrimin e dy futbollistëve të tjerë, në këtë merkato. Bëhet fjalë për mesfushorin e Fiorentinës, Vecino dhe sulmuesin e Sampdorias, Patrick Schick.

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës, drejtuesit zikaltër kanë mbyllur marrëveshjen fillimisht me menaxherin uruguajan të Fiorentinës. Kontranë 5 vjeçare, për Vecinon, me një pagë prej 3.2 milionë eurosh në sezon, ndërsa vllojcëve do t’ju paguhet klauzola prej 24 milionë eurosh, e ndarë në dy vite.

Menjëherë pas takimit me menaxherin e Vecinos, Piero Ausilio është takuar me drejtuesit e Sampdorias. Temat e takimit kanë qenë Patrick Schick dhe Davide Santon.

Zikaltrit kanë rënë dakord që të paguajnë për sulmuesin çek, menjëherë pasi të zhvillojë vizitat mjekësore në Milano, ndërsa Sampdoria ka kërkuar informacion për huazimin e mbrojtësit italian, Santon.

Gjatë dy ditëve të ardhshme, pritet që të dy futbollistët të kryejnë vizitat mjekësore në Milano, ndërsa Vecino mund t’i bashkohet menjëherë ekipit në Kinë.

Ndërsa sulmuesi çek, nëse kalon me sukses vizitat mjekësore, do të ulet të negociojë kontratën e tij me zikaltrit, para se t’i bashkohet grupit të Spallettit.

Ndërkohë, po të mërkurën, Ausilio është takuar edhe me menaxherin e ish mesfushorit zikaltër, Mateo Kovaçiç, hapësirat e të cilit te Reali, duket se janë mbyllur.

Kroati është përmirësuar shumë gjatë eksperiencës së tij në Madrid dhe ka disa klube të interesuar për afrimin e tij, por së fundi edhe zikaltrit po vlerësojnë mundësitë e rikthimit të Kovaçiç në Milano.

Top Channel