Neymar largon PSG: Jam i lumtur te Barcelona

19/07/2017 00:00

Ditët e fundit Barcelona është përfshirë në një kaos të vërtetë dhe shkak për këtë është bërë Neymar.

Në media është folur shumë për një ofensivë të re të Paris Saint Germain për brazilianin me klubin francez që është gati të paguajë klauzolën prej 222 milionë euro, ndërkohë që për futbollistin ka përgatitur një kontratë prej 30 milionë euro në sezon.

Neymar është takuar me babain dhe njëkohësisht agjentin e tij në Formentera për të diskutuar këtë ofertë për të dalë me një deklaratë që s’ka për t’u pëlqyer aspak parizienëve.

“Jam i lumtur te Barcelona”, tha Neymar për portalin Goal.com. “Sezoni që sapo u mbyll ishte më i miri për mua me fanelën e Barcelonës. Edhe pse fituam më pak tituj nga sa pritej, unë u ndjeva shumë mirë në fushën e lojës. Ne jetojmë për të pasur gjithnjë objektiva të rëndësishëm. Po punojmë që sezoni 2017-2018 të jetë akoma më shumë pozitiv si në aspektin individual ashtu dhe në atë kolektiv”, tha braziliani.

Deklarata e Neymar vjen pas asaj të bërë një ditë më parë nga zv/presidenti i Barcelonës, Jordi Mestre, kur theksoi se ishte 200% i sigurt se 25-vjeçari do të qëndronte te katalanasit.

Top Channel