Panucci në vend të De Biasit, trajneri drejt Tiranës

18/07/2017 00:00

Ka mbërritur në një finish jo shumë të qartë gara për trajnerin e përfaqësueses shqiptare. Dy alternativat e fundit janë në një garë financiare më tepër sesa sportive dhe preferenciale.

Përgjigjia e parë me sa duket është ajo e Panucit, në rast të kundërt alternativa B mbetet De Kanio. Panuci ka mbërritur paraditen e së martës në Romë, pasi ndodhej në Majemi, ndërkohë që rreth mbrëmjes mund të mbërrijë në Tiranë.

Por, pavarësisht gjithçkaje që duket e mbyllur Duka frenon sërish, në pritje të përgjigjesh përfundimtare.

“Besoj se sot zyra për shtyp do të njoftojë afatin e fundit të zyrtarizimit, apo të përfundimit të këtij procesi”, tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq në vështirësi për të vendosur për trajnerin e kombëtares numri 1 i futbollit shqiptar.

“Është njësoj si të kesh pesë portierë shumë të mirë dhe nuk di kë të fusësh në portë”, deklaroi Duka.

Ndërkohë, mbledhja e mesditës të së martës ka patur si temë kryesore projektin e ri për krijimin e ligës së futbollit shqiptar. Një kërkesë prej kohësh e 10 klubeve të Superligës.

“Duke u bashkuar këta 10 aktorë besoj që do ta promovojnë më mirë produktin e tyre, do të rrisin cilësinë, të ndajnë mes tyre ato që duhet të ndajnë dhe do të maksimalizojnë të ardhurat nga ky produkt”, tha Presidenti i FSHF-së.

Aktualisht Superliga shqiptare arrin në një buxhet prej rreth 6 mln eurosh, një shifër që ndoshta nga viti 2018, klubet do të kenë mundësinë ta menaxhojnë, apo edhe ta shtojnë në sajë të bashkimit të tyre.

“Sot hodhëm një hap të parë. Ishim rreth 7 klube që firmosën. Do të ishte mirë të ishim të dhjeta, por ky ishte hapi i parë. Shumë shpejt do të ketë edhe hapa të tjera. Nga 2018-të shpresojmë të fillojë liga”, deklaroi Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

Top Channel